Putin: “Flini të qetë europianë – Rusia s’ka ndërmend të sulmojë askënd”…

Nga Redaksia:

Presidenti rus Vladimir Putin ka dërguar një mesazh të fortë ndaj vendeve të NATO-s, duke i ftuar qytetarët europianë të “flenë të qetë” dhe të mos bien pre e propagandës së frikës për një sulm rus ndaj ndonjë shteti të Aleancës.

Duke folur në forumin ndërkombëtar “Valdai” në Soçi, Putin theksoi se Rusia është e përqendruar në vijën e frontit në Ukrainë dhe se nuk ka asnjë arsye të përfshihet në një konflikt me vendet e NATO-s.

“Nuk ka pse të trembeni. Ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd. Shikoni më mirë problemet tuaja të brendshme – shikoni çfarë po ndodh në rrugët e qyteteve evropiane,” – deklaroi Putin.

Përgjigjja ironike ndaj Trumpit

Presidenti rus iu përgjigj me ironi deklaratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili së fundmi e kishte quajtur Rusinë “një tigër prej letre”.

“Nëse ne jemi tigër prej letre dhe po luftojmë kundër gjithë NATO-s, atëherë çfarë është vetë NATO?” – tha Putin me një buzëqeshje ironike.

Ai shtoi se forcat ruse po avanconin në front, ndërsa ushtria ukrainase po përballej me mungesë trupash dhe dezertime. Sipas tij, Moska kontrollon tashmë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut, rreth 81% të Donetskut, si dhe 75% të Zaporizhias dhe Khersonit.

Paralajmërimi për SHBA-në: “Mos e kaloni vijën e kuqe”

Putin paralajmëroi se furnizimi i Ukrainës me raketa amerikane Tomahawk do të përbënte një përshkallëzim të rrezikshëm.
Sipas tij, këto raketa nuk mund të përdoren pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane, gjë që do ta kthente luftën në një përballje të hapur mes Moskës dhe Uashingtonit.

“Nëse dikush ende dëshiron të garojë me ne ushtarakisht, le ta bëjë. Kundërpërgjigja jonë nuk do të vonojë,” – paralajmëroi presidenti rus.

NATO dhe “histeria e rreme”

Shefi i Kremlinit akuzoi vendet e NATO-s se po nxisin një “histeri të rreme” për një sulm rus ndaj ndonjë anëtari të Aleancës, me qëllim që të justifikojnë zgjerimin ushtarak dhe furnizimet me armatim për Kievin.

“Ata i japin Ukrainës inteligjencë, armatim dhe trajnime, ndërsa paraqiten si të pafajshëm. Kjo është hipokrizia e Perëndimit që po i kushton paqes në Europë,” – shtoi Putin.

“Perëndimi na poshtëroi pas rënies së Bashkimit Sovjetik”

Në fjalimin e tij, Putin u ndal edhe te historia e marrëdhënieve me Perëndimin, duke thënë se pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia u poshtërua politikisht dhe ekonomikisht nga SHBA dhe BE përmes zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

“Ne kemi qenë të duruar për dekada. Por durimi ynë nuk do të thotë dobësi. Rusia do të mbrojë veten dhe interesat e saj kombëtare me çdo çmim,” – tha Putin.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *