Nga Redaksia:
Shqipëria ka bërë “hapin e madh” drejt modernitetit: në vend të një ministri real, në Forumin Global të Investimeve në New York foli një “ministre artificiale”. Po, një avatar digjital, i krijuar nga kompjuterët në Tiranë, që lexonte tekstin e përgatitur me zë monoton dhe pa emocion.
Në një sallë ku vendet e tjera sillnin ekspertë të vërtetë, ministra me karrierë dhe kredibilitet, Shqipëria shfaqi një kukull virtuale. Sipas qeverisë, kjo ishte “risia” që do t’i tregonte botës se Shqipëria është futur në epokën e inteligjencës artificiale. Në të vërtetë, ishte vetëm një shfaqje që i përshtatet më së miri realitetit tonë: një ministër që s’pyet, s’kundërshton, nuk bën gabime dhe mbi të gjitha nuk vjedh dot vetë – sepse vjedhjet i ka të programuara nga lart.

Pjesëmarrësit ndërkombëtarë e panë këtë “shfaqje” më shumë si argëtim teknologjik, sesa si mesazh serioz për investime. Sepse investitorët duan siguri, stabilitet, ligje të qarta, gjykata që funksionojnë dhe taksa të ndershme – jo një “Barbie ministrore” në ekran që thotë “Shqipëria është gati”.
Ironia më e madhe është se ky eksperiment e nxjerr zbuluar qeverinë: nëse duan ministra që s’flasin kundër, s’kanë personalitet dhe përsërisin fjalët e kryeministrit, më mirë le t’i bëjnë të gjithë artificiale. Ndoshta kështu shpëtojmë edhe nga skandalet, korrupsioni, tenderat fiktivë dhe turpi ndërkombëtar.
Sepse në fund të fundit, ministrja artificiale është më e ndershme se ministrat realë: nuk vjedh, nuk bën pazare me oligarkët dhe nuk udhëton me charter luksoz. Për këtë arsye, ajo është ndoshta përfaqësuesja më e denjë që Shqipëria ka pasur në arenën ndërkombëtare prej vitesh.
Por pyetja e vërtetë mbetet: a është kjo një shenjë përparimi teknologjik, apo thjesht një pranim publik se qeveria jonë është më e besueshme kur flet me robotë sesa me njerëz?
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.