ANALIZA: Shqiptarët presin mrekullinë Amerikane – Ndërsa Ramë Rilindasi shitet si profet ..

Nga Redi Minga:

Në rrjetet sociale dhe në media po shpërthen një furtunë virtuale mbi arrestimet “e mëdha” që pritet të kryejë SPAK. Tituj bombastikë, portale anonime, statuse të fabrikuara – të gjitha me të njëjtin mesazh: “Shtatori do të jetë dridhërima e politikanëve të korruptuar”.

Por kjo nuk është gjë tjetër veçse një vrimë në ujë. Një iluzion i ricikluar, një mashtrim i ri i veshur me shpresë të rreme. Burimi i kësaj zhurme është pikërisht Rilindja, e cila, përmes faqeve dhe portaleve të saj, mundohet t’i budallallepsë shqiptarët me ëndrra me sy hapur, duke krijuar përshtypjen se drejtësia po troket te dera e të mëdhenjve të politikës.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Sali Berisha nuk qëndron pasiv. Ai lëshon parrullën e fundit: “Ky është shtatori i fundit që na gjen në Opozitë, në 2025 vijmë në pushtet.” Një mesazh i koduar për militantët e tij, por që në thelb është një kartë e fundit politike për të mbajtur ndezur shpresën e bazës.

Në këtë panoramë, shqiptarët ndihen sikur po presin një mrekulli nga SHBA. Por historia ka treguar se asnjë fuqi e huaj nuk i pastron baltërat e brendshme të një vendi, nëse vetë shoqëria nuk merr përgjegjësitë e saj. As SPAK, as Uashingtoni, as Brukseli nuk do ta bëjnë punën që shqiptarët refuzojnë ta bëjnë vetë.

Në vend të mrekullisë, ajo që kemi është një spektakël mediatik i orkestruar: Rilindja me mashtrime për të zgjatur pushtetin, opozita me parulla për të mbajtur frymën gjallë, ndërsa qytetarët e zakonshëm shohin drejt SHBA-ve me shpresë, sikur nga atje do të zbresë një “shpëtimtar”.

Në të vërtetë, e vetmja dridhërimë e shtatorit është ajo e zhgënjimit. Dhe shqiptarët duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të ushqehen me ëndrra të servirura nga të njëjtët politikanë, apo më në fund do të zgjedhin t’i shohin gjërat ashtu siç janë.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *