Protesta e kandidat të pavarur për deputet – Mos kalo skenë krimi Zgjedhor …

Nga Aulon Kalaja

Aulon Kalaja është gazetar investigativ, aktivist qytetar dhe kandidat i pavarur për deputet në zgjedhje e fundit parlamentare, i njohur për denoncimet e tij publike kundër padrejtësive zgjedhore dhe abuzimeve me votën e lirë në Shqipëri. Në vijim të angazhimit të tij për transparencë dhe integritet zgjedhor, Kalaja ka reaguar sërish fuqishëm ndaj zhvillimeve të fundit në Qarkun e Durrësit.

Postimi i plotë

MOS KALO – SKENË KRIMI ZGJEDHOR

Sot protestuam para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar llogari se përse u anulua procesi i rinumërimit të votave në Qarkun e Durrësit?!

Unë vetë kam kërkuar që të numëroheshin të gjitha kutitë – gjithsej 493 kuti në këtë qark – por KAS vendosi që të rinumëroheshin vetëm 290 prej tyre. Teksa po rinumërohej kutia me numër 152, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërpreu papritur dhe në mënyrë të dyshimtë gjithë procesin, duke anuluar rinumërimin.

Jam krenar të deklaroj se nuk kam prekur apo ndikuar në asnjë votë, përkundrazi, gjatë rinumërimit rezultoi që më kishin vjedhur 15 vota. Dhe për kandidatët e tjerë, ju e patë vetë çfarë ndodhi!

A kemi të bëjmë me “gabime njerëzore” apo me krim të organizuar zgjedhor, kur një kandidati i mungojnë 42 vota në një kuti, apo kur dikush tjetër “furnizohet” me 15 vota shtesë në një tjetër kuti?! Apo me 14 vota të tjera në një kuti tjetër?!

Unë kërkoj rinumërimin e plotë të votave në të gjithë Qarkun e Durrësit, njësoj siç u bë rinumërimi për Qarkun e Tiranës dhe të Fierit.

A kam apo jo të drejtë si kandidat të di sa vota kam marrë në të vërtetë?! Fillimisht më thanë se kam 8,120 vota. Tani më thonë 8,135. Po nëse hapen të gjitha kutitë? Ju garantoj që rezultati do të ndryshojë sërish!

Ky nuk është thjesht një debat për disa vota – është një skenë krimi mbi votën, mbi demokracinë, mbi qytetarin shqiptar.

Galeria

PatriotikMedia.al – qëndro i informuar, jo i manipuluar!

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *