Nga Redi Minga:
32 vendet anëtare të NATO-s kanë intensifikuar retorikën dhe përgatitjet kundër Rusisë, duke e shpallur atë zyrtarisht si kërcënimin kryesor për sigurinë euroatlantike. Në samitin e radhës, shtetet anëtare kanë diskutuar hapur rritjen e buxhetit të mbrojtjes në minimumi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me qëllimin e përshpejtimit të një armatosjeje masive në shkallë ndërkombëtare.
Por ndërkohë që vendet perëndimore përpiqen të justifikojnë këtë rritje kolosale të shpenzimeve ushtarake me pretekstin e një “agresioni të afërt rus”, shumë analistë po vënë në dyshim këtë narrativë, duke e konsideruar si vazhdimësi e një strategjie më të gjerë të krijimit të krizave të kontrolluara.
Nga pandemia e frikës te lufta e trilluar
Nuk është hera e parë që këto vende reagojnë në mënyrë të sinkronizuar ndaj një “armiku të deklaruar”. Gjatë viteve 2020–2022, të njëjtat shtete ndërmorën masa ekstreme për shkak të një virusi të përshkruar si kërcënim global, duke mbyllur ekonomitë, ndaluar liritë civile dhe shkatërruar miliona biznese të vogla dhe të mesme.
Sot, me një shoqëri ende të pasigurt ekonomikisht dhe moralisht, të njëjtat struktura shtetërore po kërkojnë miliarda dollarë për armatime, duke e paraqitur Rusinë si kërcënimin e radhës për ekzistencën e “rendit demokratik”. E përbashkëta e të dyja krizave? Frika e projektuar nga lart, që legjitimon masa të jashtëzakonshme.
Realiteti ekonomik: shpenzimet për luftë si oksigjen për industri të kalbura
Industria globale e armëve është një ndër përfituesit më të mëdhenj të kësaj krize të re. Kompani si Raytheon, Lockheed Martin dhe BAE Systems, të lidhura ngushtë me vendimmarrësit në SHBA, Britani dhe BE, kanë parë rritje të fitimeve me mbi 200% që nga viti 2022.
Në vend që të adresojnë problemet reale të pas-pandemisë – si inflacioni, kriza energjetike dhe mungesa e shpresës për shtresat e varfra – qeveritë perëndimore kanë zgjedhur të investojnë në konflikt të mundshëm, duke e kthyer luftën në projekt ekonomik.
Në fakt, disa shtete si Gjermania dhe Franca, të cilat më parë predikonin bashkëpunimin me Rusinë në sektorin energjetik, sot janë kthyer në zëra të ashpër anti-rusë, pa asnjë analizë kritike për kontradiktën në politikat e tyre të një dekade më parë.
Rusia si justifikim për centralizimin global
Kërcënimi rus po përdoret gjithashtu si pretekst për një centralizim më të madh të pushtetit në strukturat transnacionale, si NATO, BE apo Kombet e Bashkuara. Në emër të “mbrojtjes së vlerave”, po legjitimohen politika që kufizojnë më shumë autonominë e vendeve të vogla, përfshirë këtu edhe shtetet e Ballkanit, të cilat përdoren thjesht si hapësira logjistike apo rezervuarë njerëzorë për konfliktet e mëdha.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova, janë pa një strategji të pavarur gjeopolitike, janë futur në këtë rrjedhë pa analizë dhe pa debat publik të vërtetë, duke e kthyer ushtarakizimin dhe sanksionet në qëllim në vetvete, jo si pjesë e një strategjie të mbrojtjes kombëtare.
Kush po përfiton nga frika?
Korporatat e mëdha të industrisë së armatimeve si Raytheon, Lockheed Martin, BAE Systems – me aksionerë që shpesh janë po ata që zotërojnë mediat dhe bankat.
Politikanët e korruptuar që humbin vota por fitojnë pushtet përmes krizave artificiale.
Agjencitë ndërkombëtare dhe strukturat burokratike që duan të centralizojnë pushtetin global nën një rend të ri “të sigurisë”.
Nëse vërtet NATO do të mbrojë vlerat e demokracisë, le të fillojë me transparencë për atë që ndodhi me mbylljet, vaksinat dhe pasojat ekonomike të tyre. Nëse Rusia është rrezik, kjo duhet të vërtetohet me fakte, jo me propagandë të frikës.
Popujt europianë nuk kanë nevojë për një tjetër “luftë patriotike”, por për çlirimin nga politikanët që shesin armë, ndërsa vrasin të ardhmen me krizë pas krize.
Pra retorika e frikës që nisi me virusin është zëvendësuar me retorikën e luftës ndaj një armiku të vjetër – Rusisë. E njëjta metodë, të njëjtat struktura vendimmarrëse dhe të njëjtët përfitues. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo përballje do të mbetet brenda fushës propagandistike, apo do të çojë realisht në një konflikt të shtrenjtë dhe të pakthyeshëm.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
