Ripopullimi me punëtorë nga Mianmari, Gjergji Thanasi: Shqiptarët po zëvendësohen me fuqi punëtore nga Azia!
Nga Redaksia – Një reklamë e publikuar nga agjencia “Recruit Albania”, e cila njofton rekrutimin e punonjësve të kualifikuar nga Mianmari (Birmania) për sektorin e fasonerisë në Shqipëri, ka nxitur reagimin e Gjergji Thanasi.
Në reklamën e publikuar në rrjetet sociale, agjencia bën të ditur se ofron staf të kualifikuar nga Mianmari, përzgjedhje të kandidatëve sipas nevojave të bizneseve, si dhe asistencë për procedurat e punësimit.
Lidhur me këtë zhvillim, Gjergji Thanasi ka reaguar me një koment kritik, duke e lidhur rekrutimin e fuqisë punëtore nga vende të largëta aziatike me atë që ai e konsideron një proces ripopullimi të Shqipërisë.
Në reagimin e tij, Thanasi shkruan:
“Mianmari (Birmania) është një shtet aziatik, ku shumica dërrmuese e popullsisë është e fesë budiste. Që nga pavarësia nga Perandoria Britanike e deri më sot, Birmania për periudha të gjata kohe ka qenë nën sundimin e juntave të ndryshme ushtarake, sundim i vrazhdë, hajdut dhe gjakatar.
Pra, birmanezët e mjerë janë kandidatë perfektë për bujkrobër dhe hyzmetqarë të padronëve të rinj të Shqipërisë, të ATYRE!!!!”
Reagimi i Thanasit ngre pikëpyetje mbi politikat e punësimit, mungesën e fuqisë punëtore në sektorin e fasonerisë dhe orientimin e bizneseve drejt rekrutimit të punonjësve nga vende të tjera.
Çështja që shtrohet është se çfarë po ndodh me tregun shqiptar të punës dhe pse bizneset po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës jashtë vendit, në vend që të adresojnë arsyet që i largojnë shqiptarët nga këto vende pune.


© Copyright of PatriotikMedia.al


