VIDEO/Bill Gates: Bota mund të ketë nevojë të përjetojë një katastrofë kibernetike përpara se të reagojë!

Nga Redaksia – Një deklaratë e Bill Gates për rrezikun e sulmeve kibernetike dhe inteligjencës artificiale po ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si po përgatitet bota për kërcënimet e së ardhmes. Në një intervistë për CBS Evening News, Gates shprehet se mund të jetë e nevojshme që njerëzit të përjetojnë fillimisht pasoja të rënda nga një sulm kibernetik, përpara se institucionet dhe shoqëria të ndërgjegjësohen plotësisht për rrezikun dhe të pranojnë masa të forta parandaluese.

Gjatë bisedës, Gates shpjegon se ekziston një konsensus mbi rrezikun e sulmeve kibernetike, por se paralajmërimet mund të mos mjaftojnë për të bindur publikun dhe qeveritë që të reagojnë në kohë. Sipas tij, nëse ndodh një sulm i madh kibernetik që shkakton probleme serioze, atëherë njerëzit do të pranojnë se ata që paralajmëronin për këtë rrezik kishin të drejtë.

“Pra, mund të ndodhë që të na duhet të vuajmë disa nga pasojat negative përpara se të reagojmë plotësisht, ashtu siç duhet”, shprehet Gates. Ai shton se, kur pasojat negative të fillojnë të shfaqen, do të ekzistojnë ide dhe masa konkrete për t’u zbatuar, në mënyrë që një ngjarje e tillë të mos përsëritet.

Pjesa më e fortë e intervistës vjen kur gazetari e vendos çështjen në terma të drejtpërdrejtë: ajo që mund të duhet për ta bërë Amerikën dhe botën ta trajtojnë seriozisht këtë problem nuk është një ese prej 12 faqesh e Bill Gates, por ndoshta një katastrofë. Gates përgjigjet: “Kjo është e drejtë”.

Deklarata merr rëndësi të veçantë në kohën kur inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritme të shpejta dhe po shtohen shqetësimet për përdorimin e saj në sulme ndaj sistemeve financiare, institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike. Një sulm i madh ndaj bankave, energjisë apo sistemeve të administrimit të investimeve mund të shkaktojë pasoja që prekin drejtpërdrejt jetën e miliona qytetarëve.

Ajo që mbetet shqetësuese është ideja se paralajmërimet mund të mos merren seriozisht derisa dëmi të jetë bërë. Në vend që siguria të ndërtohet përpara krizës, shoqëria mund të detyrohet të reagojë pasi të ketë përjetuar pasojat e saj.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: A duhet të presë bota një katastrofë për të kuptuar rrezikun e teknologjisë që po zhvillon me shpejtësi?

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top