VIDEO/Chabad mbërrin në Shqipëri, hap qendrën e parë të përhershme: Ku ishin deri dje dhe pse pikërisht tani?

Nga Redaksia – Një njoftim i publikuar nga selia qendrore e organizatës hebraike Chabad-Lubavitch ka tërhequr vëmendjen, pasi Shqipëria është shpallur si vendi më i ri në hartën ndërkombëtare të kësaj organizate fetare.

Sipas njoftimit, rabini Yossi Fridman, bashkëshortja e tij Etka dhe djali i tyre Meir do të vendosen në Shqipëri për të ngritur shtëpinë e parë të përhershme Chabad në vend.

Sipas organizatës, kjo qendër do t’i shërbejë komunitetit hebre në Shqipëri dhe numrit në rritje të vizitorëve hebrenj që vijnë në vendin tonë.

Por ky njoftim ngre edhe disa pikëpyetje që meritojnë përgjigje publike.

Ku ishin deri dje dhe pse vendosën të krijojnë një qendër të përhershme pikërisht tani?

Kjo është pyetja e parë që lind: A nuk kishte Shqipëria deri më sot një komunitet hebre dhe përfaqësues fetarë të kësaj organizate?

Në fakt, prania e Chabad në Shqipëri nuk është krejt e re. Që në dhjetor të vitit 2010, rabini Yoel Kaplan, përfaqësues i Chabad në Selanik të Greqisë, u emërua kryerabini i Shqipërisë dhe kryente vizita periodike në Tiranë. Pra, lidhjet me vendin tonë ekzistonin prej vitesh, por tani bëhet fjalë për një vendosje të përhershme të një familjeje rabinike.

Madje, në gusht të vitit 2026, një përfaqësues i lartë i rrjetit Chabad, rabini Mendy Kotlarsky, vizitoi Shqipërinë, në kuadër të forcimit të lidhjeve me komunitetin hebre vendas.

Por pikërisht këtu lindin pyetjet që nuk duhen anashkaluar:

  • Pse pikërisht tani u vendos që Shqipëria të ketë një qendër të përhershme Chabad?
  • Kush e ka iniciuar këtë projekt dhe kush do ta financojë?
  • Ku do të vendoset qendra dhe çfarë aktivitetesh do të zhvillojë?
  • A ka pasur kontakte me institucionet shtetërore shqiptare dhe cilat janë marrëveshjet e mundshme?
  • Çfarë marrëdhënieje do të ketë kjo qendër me komunitetin hebre ekzistues në Shqipëri?

Këto nuk janë akuza dhe as paragjykime ndaj një komuniteti fetar. Janë pyetje legjitime për transparencën e çdo organizate ndërkombëtare që vendos të krijojë një strukturë të përhershme në vendin tonë.

Është e kuptueshme që një organizatë fetare të dëshirojë t’i shërbejë komunitetit të saj, ashtu siç ndodh me organizata të tjera fetare në Shqipëri. Vendi ynë ka një traditë të njohur të bashkëjetesës fetare dhe respektit ndaj besimit të çdo individi.

Megjithatë, Shqipëria nuk është një vend pa histori dhe as një territor ku mund të zhvillohen projekte të rëndësishme pa informuar publikun.

Nëse Chabad-Lubavitch synon të krijojë një prani të përhershme, qytetarët kanë të drejtë të dinë se cilat janë objektivat, burimet financiare, planet afatgjata dhe marrëdhëniet institucionale të kësaj strukture.

Pyetja nuk është pse hebrenjtë vijnë në Shqipëri. Ata janë të mirëpritur, ashtu si çdo qytetar apo vizitor tjetër. Pyetja është: çfarë po ndërtohet konkretisht, kush e mbështet dhe çfarë synohet të arrihet në të ardhmen?

Deri tani, njoftimi i Chabad nuk jep përgjigje të hollësishme për këto çështje.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top