VIDEO/Flamuri gjerman hiqet përpara Parlamentit: Simboli i një shteti që po humbet autoritetin!

Nga Redaksia – Skandali politik që ndodhi në Berlin nga një 22-vjeçar i cili u ngjitet në shtizën 30 metra të lartë përpara Parlamentit gjerman, duke hequr flamurin kombëtar dhe duke vendosur flamurin palestinez ishte poshtrim. Julia Klöckner dhe ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt reagojnë ashpër.

Një aksion i pazakontë dhe provokues ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor 2026, përpara Bundestagut në Berlin, ku një aktivist ka hequr flamurin gjerman, të njohur si Flamuri i Bashkimit, dhe e ka zëvendësuar me flamurin palestinez.

Sipas mediave gjermane, personi që u ngjit në shtizën rreth 30 metra të lartë është një 22-vjeçar, ndërsa dy persona të tjerë, të moshës 20 dhe 32 vjeç, e kanë ndihmuar nga poshtë dhe kanë filmuar të gjithë aksionin.

Përgjegjësinë për veprimin e ka marrë organizata “Peacefully Against Genocide”, e cila pretendon se aksioni ishte një shprehje solidariteti me popullin palestinez.

Aktivisti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur në intervistën e publikuar, shpjegon arsyet e veprimit dhe akuzat e tij ndaj qeverisë gjermane.

Deklarata e aktivistit: Gjermania po mundëson gjenocidin në Gaza

Në intervistën e tij, aktivisti deklaron:

Sot, së bashku me organizatën ‘Peacefully Against Genocide’, hoqa flamurin e madh gjerman që ndodhej përpara Bundestagut dhe e zëvendësova me një flamur palestinez.

Izraeli vazhdon të kryejë gjenocid ndaj palestinezëve dhe kjo vazhdon të bëhet e mundur edhe falë Gjermanisë.

Me këtë veprim doja që kritikat t’i drejtoja drejtpërdrejt te Bundestagu, sepse janë pikërisht politikanët që mblidhen aty çdo ditë ata që e bëjnë të mundur gjenocidin në Gaza. Janë ata që çdo ditë vendosin që të vazhdojnë dërgesat e armëve.”

Ai tregon se, pasi vendosi flamurin palestinez, zbriti vetë nga shtiza.

“Pasi vendosa flamurin palestinez, zbrita vetë, me dëshirën time, sepse mesazhi im ishte përcjellë. Pak pasi zbrita, policia u ngjit me automjetin me shkallë të zjarrfikësve, hoqi flamurin palestinez dhe e sekuestroi atë.”

I pyetur nëse zjarrfikësit ndërhynë gjatë aksionit, ai shpjegon se fillimisht ata u afruan për t’u siguruar që ngjitja të mos përfundonte në një aksident.

Aktivisti pretendon se gjatë gjithë kohës kishte qenë i siguruar me pajisje speciale dhe se dy bashkëpunëtorët e tij e kishin ndihmuar duke mbajtur shkallën.

Ai shpjegon gjithashtu se përdori rripa sigurie të posaçëm, të lidhur me një parzmore ngjitjeje, për të përshkuar gradualisht lartësinë e shtizës.

Në fund të intervistës, ai pranon se ngjitja ishte jashtëzakonisht e lodhshme, pasi shtiza ishte rreth 30 metra e lartë.

Megjithatë, ai e përshkruan si një ndjenjë të jashtëzakonshme faktin që po kryente këtë veprim përpara Parlamentit gjerman.

“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të dije se po bëje diçka në mbështetje të Palestinës”, përfundon ai.

Julia Klöckner: Bundestagu gjerman ka nevojë për më shumë mbrojtje

Aksioni shkaktoi reagime të forta në politikën gjermane.

Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner (CDU), dënoi ashpër ngjarjen dhe kërkoi masa shtesë sigurie për institucionin më të rëndësishëm parlamentar të vendit.

“Bundestagu ynë gjerman ka nevojë për më shumë mbrojtje!”, deklaroi ajo.

Në një reagim për gazetën “Bild”, Klöckner përdori një gjuhë edhe më të ashpër, duke i cilësuar autorët si “kaotikë pro-palestinezë” dhe duke theksuar se është e papranueshme që veprime të tilla të ndodhin përpara simbolit të bashkimit gjerman.

Ajo kërkoi që parlamenti të mos shndërrohet në një skenë për aksione aktiviste dhe theksoi se përgjegjësia për sigurinë shtrihet edhe në hapësirën përreth ndërtesës.

Dobrindt: Një akt mungese absolute respekti

Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt (CSU), reagoi ashpër ndaj ngjarjes.

Ai e cilësoi veprimin si një “akt të mungesës absolute të respektit dhe provokim të qëllimshëm”.

Sipas Dobrindt, bëhet fjalë për një aksion të organizuar nga aktivistë të majtë radikalë dhe kërkoi që të hetohen edhe persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner (CDU), e cilësoi veprimin si një shprehje përbuzjeje ndaj demokracisë gjermane.

Policia ka nisur hetimet, aktivisti përballet me akuza të shumta

Sipas raportimeve të mediave gjermane, policia arrestoi përkohësisht tre personat për të identifikuar dhe marrë në pyetje të përfshirët.

Aktivisti 22-vjeçar u mbajt në paraburgim policor, ndërsa dy personat e tjerë u trajtuan me masa të ndryshme, përfshirë ndalimin e qëndrimit në zonë.

Policia dhe organet e sigurisë shtetërore po hetojnë për dyshime mbi fyerjen e shtetit dhe simboleve të tij, dëmtimin e pronës publike, shkeljen e ligjit të tubimeve në Berlin dhe hyrjen e paautorizuar në territor të ndaluar.

Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se do të rishikojnë masat e sigurisë përreth Bundestagut, pas incidentit.

Ngjarja ka hapur një debat të ri në Gjermani mbi kufijtë e protestës politike, respektimin e simboleve kombëtare dhe mënyrën se si institucionet duhet të reagojnë ndaj aksioneve të tilla.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top