Shteti i Kastratit! Pas zhvatjes me kursin e këmbimit, tani duan t’u marrin shqiptarëve të Kosovës 16 euro për të ardhur në Shqipëri …

Kastrati Group dhe Salillari kërkojnë rritjen me 60% të tarifës në Rrugën e Kombit. Nga 10 euro për vajtje-ardhje, tarifa mund të shkojë në 16 euro. Kush po i mbron interesat e qytetarëve dhe kush po u hap rrugën koncesionarëve për të thelluar fitimet

Nga Redaksia – Shqiptarët e Kosovës mund të përballen me një tjetër goditje financiare sa herë që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Këtë herë, në qendër të debatit është Rruga e Kombit, ku kompania koncesionare që administron autostradën Milot–Morinë kërkon rritjen e tarifës së kalimit nga 5 në 8 euro për automjetet.

Një rritje prej 60 për qind, e cila, nëse miratohet, do ta çojë pagesën për një udhëtim vajtje-ardhje në 16 euro, nga 10 euro që paguajnë aktualisht drejtuesit e automjeteve.

Në një kohë kur lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë sa më e lehtë dhe e përballueshme për qytetarët, kjo kërkesë ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si menaxhohen koncesionet dhe mbi interesat që mbrohen nga institucionet shtetërore.

Kastrati dhe Salillari kërkojnë më shumë para nga qytetarët

Sipas një dokumenti që po qarkullon në rrjetet sociale, kompania koncesionare “Albanian Highway Concession” (AHC) ka kërkuar rishikimin e tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit.

AHC administrohet në bashkëpronësi nga Kastrati Group dhe Salillari sh.p.k., të cilat zotërojnë secila nga 50 për qind të aksioneve.

Koncesionari është përgjegjës për administrimin e pikës së pagesës, operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, përfshirë tunelin e Kalimashit.

Nëse kërkesa pranohet, çdo kalim do të kushtojë 8 euro. Për ata që udhëtojnë vajtje-ardhje, fatura do të arrijë në 16 euro, pa llogaritur shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera të udhëtimit.

Për familjet kosovare që vijnë rregullisht në Shqipëri, për pushime, për të takuar të afërmit apo për arsye pune, kjo do të thotë më shumë para nga xhepi për të përshkuar të njëjtën rrugë.

Justifikimi: tarifa nuk ka ndryshuar që nga viti 2018

Sipas dokumentit të publikuar, i cili paraqitet si një memo e Njësisë së Zbatimit të Projektit “Milot–Morinë” pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kompania argumenton se tarifa prej 5 eurosh ka mbetur e pandryshuar që nga nisja e operimit në vitin 2018.

AHC i referohet klauzolës 11.4.4 të kontratës koncesionare, duke pretenduar se tarifa duhet të indeksohet në bazë të ndryshimeve të treguesve ekonomikë.

Në përllogaritjet e paraqitura për datën 1 shtator 2026, indeksi rezulton 1,597, ndërsa tarifa e propozuar arrin në 8 euro, me një ekuivalent prej 740 lekësh.

Kompania pretendon gjithashtu se moszbatimi i indeksimit ka krijuar diferenca mes të ardhurave të realizuara dhe atyre të parashikuara, duke ndikuar në likuiditetin dhe ecurinë financiare të koncesionit. Në kërkesë përfshihet edhe trajtimi i efekteve që lidhen me ndryshimet e kursit të këmbimit.

Por argumentet financiare të një kompanie koncesionare nuk mund të jenë arsyeja e vetme për të vendosur një barrë më të madhe mbi qytetarët. Përpara çdo vendimi, institucionet duhet të bëjnë transparencë mbi kontratën, formulën e indeksimit, kostot reale të mirëmbajtjes dhe interesin publik.

Pas debatit për kursin e këmbimit, një tjetër faturë për qytetarët

Kërkesa për rritjen e tarifës vjen në një klimë pakënaqësie për kostot që përballojnë qytetarët dhe për mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet mes shtetit dhe kompanive të mëdha.

Debati për kursin e këmbimit dhe përfitimet e pretenduara nga ndryshimet valutore ka shtuar pikëpyetjet mbi ndikimin që këto mekanizma kanë te qytetarët dhe bizneset. Tani, me kërkesën për shtrenjtimin e Rrugës së Kombit, vëmendja rikthehet te Kastrati dhe Salillari.

Pyetja thelbësore është e thjeshtë: kur një kompani kërkon rritje të të ardhurave përmes indeksimit të tarifave, kush garanton që barra nuk përfundon sërish mbi qytetarët?

Dhe mbi të gjitha, a do të shqyrtohet kërkesa vetëm nga këndvështrimi i interesit financiar të koncesionarit, apo do të merret parasysh edhe interesi i mijëra shqiptarëve që përdorin çdo vit këtë aks rrugor?

Rruga e Kombit nuk është thjesht një rrugë me pagesë

Rruga e Kombit është një lidhje strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo ka rëndësi ekonomike, turistike, tregtare dhe kombëtare. Për shumë familje kosovare, udhëtimi drejt bregdetit shqiptar është një traditë, ndërsa për bizneset është një korridor i rëndësishëm komunikimi.

Pikërisht për këtë arsye, çdo rritje e tarifës duhet të shqyrtohet me përgjegjësi të veçantë. Një shtrenjtim prej 60 për qind nuk është një ndryshim i vogël, por një rritje e ndjeshme që prek drejtpërdrejt buxhetin e udhëtarëve.

Shteti ka detyrimin të mbrojë interesin publik, të garantojë transparencën e kontratave koncesionare dhe të shpjegojë qartë se cilat janë përfitimet për qytetarët nga çdo vendim i tillë.

Deri në një vendim përfundimtar, tarifa prej 8 eurosh mbetet një kërkesë e koncesionarit dhe jo një rritje e konfirmuar si e miratuar.

Pyetja që mbetet për institucionet është: a do të mbrohet xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe i bashkëkombësve nga Kosova, apo do të miratohet një tjetër shtrenjtim në emër të interesave financiare të koncesionarëve?

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top