ANALIZA: A po lind në Shqipëri poli i tretë politik?

Lufta kundër shtresës gri dhe frika nga lindja e polit të tretë politik në Shqipëri

Nga Flora Xhemani Baba:

Ka plasur një luftë e egër kundër njerëzve pa parti, që kritikojnë partitë e mëdha për mënyrën se si po zhvillohen ngjarjet në Shqipëri.

Rama dihet: këdo që e kritikon, e quan vegël qorre të opozitës.

Por edhe Berisha dje tha se kush kritikon opozitën, ose kush bën opozitën e opozitës, është drejtpërdrejt me Ramën.

Një lukuni e papërmbajtshme patronazhistësh ose militantësh të verbër (ta dini, PD-ja ka më shumë se PS-ja nga të dyja palët) u turren këtyre kritikëve (përfshirë edhe mua, por nuk jam vetëm unë) dhe duket sikur po luajnë aktin e fundit të egërsisë, jo thjesht kundër njeriut që shkruan, por kundër çdo fenomeni që rrezikon prishjen e status quo-së aktuale, e cila i mban dy partitë e mëdha në gjendjen e stanjacionit tragjik ku ka rënë Shqipëria.

Instalimi përfundimtar i një diktature të moderuar, ku pushteti sundon në siguri të plotë me të gjitha mjetet e terrorit fizik dhe psikologjik, duke pasur përballë një opozitë, sa për të krijuar idenë e luftës, por që nuk e rrezikon këtë pushtet (si luanët dhe hienat që ndajnë bashkë frytet e gjahut), po refuzohet të pranohet si e vetmja alternativë nga grupime të ndryshme shoqërore, që zakonisht quhen “shtresa gri”.

Mirëpo, tashmë që kjo shtresë u shpërfaq dhe doli në rrugë me dhjetëra mijëra njerëz, pavarësisht se e përzier me opozitën më të madhe në vend, po sulmohet më shumë se vetë qeveria. Dhe gjejeni pak: nga kush po sulmohet?

Lufta pesëmujore, dhëmb për dhëmb, me këtë shtresë ka nisur dhe po vazhdon pa asnjë armëpushim, duke sulmuar herë në grup e herë individualisht emra e persona që spikasin, për të mos i lënë të ngrenë kokë si filiza të rinj të politikës. Edhe kur nuk kanë aspirata për të hyrë në politikë, ata sulmohen njësoj, baltosen, denigrohen, u bëhet biografia deri në brezin e shtatë, me qëllim që t’u digjet figura e të mos lakohen dot në të ardhmen si emra të pastër në lëmin e politikës, për ta lënë fushën bosh e për të krijuar përshtypjen se askush nuk mund të krijojë dot një parti tjetër përveç PS-së dhe PD-së.

Shkurt, lindja e një poli të tretë në politikë po luftohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat, duke u konsideruar një rrezik për mbretërimin 36-vjeçar të sistemit aktual politik në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe partitë e vogla, që konsiderohen zgjatime të partive të mëdha.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top