Tradhtia ka një emër? Albin Kurti në qendër të përplasjes për Gjykatën Speciale …

Nga Lirim Mehmetaj:

Debati për Gjykatën Speciale në Kosovë po merr një tjetër kthesë, ndërsa në qendër të kritikave është vendosur Albin Kurti dhe iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës për një ligj që lidhet me funksionimin e kësaj gjykate.

Pretendimi është i fortë: ligji i propozuar nga PDK-ja është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe, në veçanti, me nenin 162 të saj. Sipas kritikëve të kësaj nisme, bëhet fjalë për një ligj që nuk mund të prodhojë efekt juridik në formën e propozuar.

Neni 162 i Kushtetutës përcakton kuadrin kushtetues të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në pikën 3 parashikohet kompetenca për çështjet kushtetuese që lidhen me mandatin, juridiksionin, strukturën dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Pikërisht këtu ngrihet pyetja kryesore: pse u propozua një ligj që, sipas kritikëve, përplaset me një dispozitë të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe që mund të përfundojë përballë mekanizmit kushtetues të përcaktuar për çështjet që lidhen me Specialen?

Nëse kjo përplasje juridike është kaq e dukshme, atëherë debati nuk mund të mbyllet thjesht me argumentin e një gabimi teknik. Duhet kërkuar se kush e hartoi këtë strategji, çfarë synonte dhe kujt i shërben politikisht.

Kush përfiton nga qetësimi i pakënaqësisë?

Një tjetër pikëpyetje lidhet drejtpërdrejt me protestat dhe reagimin qytetar ndaj vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kujt në PDK i konvenoi ndalja e protestave dhe zbutja e pakënaqësisë qytetare përmes një nisme që, nëse është vërtet antikushtetuese, nuk mund të ketë jetëgjatësi juridike?

Kush e krijoji idenë e këtij ligji?

Kush vendosi që shqiptarët të qetësohen me një zgjidhje që tani po akuzohet se bie ndesh me Kushtetutën?

Dhe mbi të gjitha: kush e shiti këtë lojë në ditët më të vështira për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin?

Këto nuk janë më pyetje që mund të anashkalohen.

Thaçi dhe Veseli, në qendër të dilemës politike

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndodhen prej vitesh përballë procesit të Gjykatës Speciale në Hagë. Çështja e tyre ka qenë një nga temat më të ndjeshme për opinionin shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj.

Në këtë situatë, çdo nismë politike që pretendohet se synon të ndikojë te çështja e Speciales duhet të shihet jo vetëm nga pikëpamja politike, por edhe nga ajo kushtetuese dhe juridike.

Nëse një ligj ndërtohet mbi një bazë që bie ndesh me Kushtetutën, atëherë pyetja bëhet edhe më e rëndë: a ishte qëllimi real zgjidhja e problemit apo vetëm krijimi i një iluzioni politik se diçka po bëhej për të burgosurit në Hagë?

Kjo është pika ku përgjegjësia politike bëhet e pashmangshme.

Kush po e paguan çmimin?

Për kritikët e kësaj nisme, çështja nuk është thjesht një debat mes partive politike. Në lojë janë emrat e ish-drejtuesve të UÇK-së, besimi i qytetarëve dhe mënyra se si politika kosovare po përballet me Gjykatën Speciale.

Nëse iniciativa ishte e destinuar të rrëzohej përballë Kushtetutës, atëherë dikush duhet të japë llogari për arsyen pse u paraqit.

Kush e hartoi?

Kush e miratoi politikisht?

Kush e përdori si argument përballë qytetarëve?

Dhe kush përfitoi nga qetësimi i protestave?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë shumë më të rëndësishme sesa vetë ligji.

Sepse nëse qytetarëve u është shitur një zgjidhje që juridikisht nuk qëndron, atëherë kemi të bëjmë me një mashtrim politik me pasoja të rënda.

Kjo nuk duhet dhe nuk do të falet.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top