Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama është përballur me thirrje dhe kundërshtime nga qytetarë gjatë vizitës së tij në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku aktualisht zhvillon aktivitetin kompania KAYO.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një moment tensioni mes kryeministrit dhe disa banorëve të zonës, të cilët i kanë drejtuar Ramës shqetësime lidhur me problematikat që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Në fokus të përplasjes ishte edhe furnizimi me ujë të pijshëm. Një prej qytetarëve i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, duke kërkuar zgjidhje për problemin e ujit, ndërsa gjatë debatit i ka kërkuar edhe dorëheqjen.
“Jep dorëheqjen!”, dëgjohet të thotë qytetari, ndërsa nga zona dëgjohen edhe thirrje të tjera kundër kryeministrit.
Përplasja verbale ka ndodhur në një moment kur Rama ndodhej në ish-Uzinën e Autotraktorëve për aktivitetet që lidhen me zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe veprimtarinë e kompanisë KAYO në këtë hapësirë.
Vizita, e cila lidhet me një sektor të cilit qeveria i ka kushtuar vëmendje të shtuar vitet e fundit, është shoqëruar kështu edhe me një përballje të drejtpërdrejtë me shqetësimet e qytetarëve.
Pamjet e incidentit janë shpërndarë në rrjetet sociale, duke sjellë në vëmendje një tjetër përballje të kryeministrit me qytetarë që kërkojnë përgjigje për problemet e zonës.
Në këtë rast, mesazhi i qytetarit ishte i drejtpërdrejtë: përpara diskutimeve për investime dhe industrinë e mbrojtjes, banorët kërkojnë zgjidhje për problemet konkrete të përditshmërisë, përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm.
© Copyright of PatriotikMedia.al

