Nga Redaksia – Ajo që ndodhi sot gjatë protestës ngre një pyetje të fortë: A u devijua qëllimisht protesta nga objektivi i saj?
Kjo nuk është hera e parë që një situatë e tillë ndodh. Ka pasur edhe raste të tjera kur protestuesit nuk janë drejtuar drejt destinacionit të përcaktuar, por janë orientuar në segmente të tjera nga individë që marrin mikrofonin dhe japin udhëzime në terren.
Sot, gjatë aksionit të mosbindjes civile, protesta duhej të zhvillohej në një tjetër segment, por protestuesit u çuan drejt Zogut të Zi.
Dhe pyetja është:
Pse?
Në atë moment, kryeministri Edi Rama ndodhej në zyrën e tij, ndërsa Kryesia e Kuvendit po zhvillonte punimet. Në vend që presioni i protestës të përqendrohej aty ku ishte parashikuar aksioni, turma u orientua drejt një tjetër pike.
Kush e mori këtë vendim?
Kush dha urdhrin?
Kush e ndryshoi destinacionin e protestës?
Kush po e merr në qafë diasporën dhe protestuesit?
Diaspora dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë nuk kanë shkuar për të bërë numër. Ata kanë dalë për të protestuar dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për mosbindje civile.
Prandaj është e papranueshme që mijëra njerëz të mobilizohen, të lodhen dhe të përballen me policinë, ndërsa dikush tjetër vendos t’i çojë në një drejtim që mund të mos ketë lidhje me objektivin kryesor të aksionit.
Këtu lind dyshimi më i madh:
A ka individë që, me veprimet e tyre, po e dobësojnë qëllimisht protestën dhe po i bëjnë shërbim Rilindjes?
Sepse nuk mjafton të dalësh në mikrofon, të bërtasësh dhe të krijosh tension.
Një protestë kërkon organizim, drejtim dhe mbi të gjitha një objektiv të qartë politik.
Nëse protestuesit vazhdimisht largohen nga destinacioni ku duhet të ushtrohet presioni, atëherë dikush duhet të japë llogari.
Protesta nuk duhet të përdoret për të shpëtuar pushtetin
PatriotikMedia.al e ngre këtë si një çështje që kërkon transparencë.
Nëse devijimi i protestës ishte thjesht një gabim organizativ, organizatorët duhet ta shpjegojnë.
Por nëse dikush e bëri me vetëdije, atëherë kemi të bëjmë me diçka shumë më serioze.
Sepse nuk mund të përjashtohet dyshimi se brenda një proteste mund të ketë individë që, në vend që ta godasin politikisht pushtetin, e ndihmojnë atë të fitojë kohë dhe të shmangë presionin.
Dhe nëse këta individë veprojnë për interesa personale apo politike, ata duhet të ekspozohen.
Diaspora nuk duhet të përdoret.
Protestuesit nuk duhet të përdoren.
Protesta nuk duhet të devijohet.
Sot ndodhi një episod që kërkon përgjigje.
Kush i çoi protestuesit te Zogu i Zi dhe pse u ndryshua destinacioni i aksionit?
Kjo është pyetja që duhet t’i bëhet kujtdo që mori përgjegjësinë për drejtimin e protestës.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

