Nga Saimir Mema:
Shqiptarët nuk po kërkojnë më thjesht largimin e Edi Ramës.
Po kërkojnë diçka shumë më të madhe: rrëzimin e establishmentit politik 35-vjeçar, majtas dhe djathtas, dhe hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë.
Kjo është arsyeja pse protesta nuk mund të reduktohet në një përplasje mes Ramës dhe opozitës së radhës.
Shqiptarët kërkojnë një qeveri tranzitore, me një mandat të qartë dhe të kufizuar, e cila brenda një viti të vendosë rregulla të barabarta për të gjithë dhe më pas t’i hapë rrugën një gare politike ku të gjithë të hyjnë në lojë me të njëjtat rregulla.
Sepse shqiptarët janë lodhur nga e njëjta lojë politike.
Janë lodhur nga rotacionet që ndryshojnë emrat, por jo sistemin.
Janë lodhur nga premtimet, nga korrupsioni, nga klientelizmi, nga pushtetarët që pasurohen ndërsa qytetarët largohen nga vendi.
Shqiptarët nuk duan që Edi Rama të bëjë marrëveshje dhe tregti me kompani e biznesmenë të dyshimtë, ndërsa pasuritë dhe interesat strategjike të Shqipërisë kthehen në objekt pazari.
Shqiptarët nuk duan që Shqipëria të trajtohet si pronë e qeverisë.
Nuk duan që toka, bregdeti, ishujt, portet dhe pasuritë kombëtare të vendosen në funksion të interesave të pak njerëzve.
Shqiptarët duan një shtet që mbron interesin kombëtar.
Nuk duan që Muzeu i Pavarësisë në Vlorë të humbasë identitetin e tij historik dhe të kthehet në një projekt që qytetarët e perceptojnë si të shkëputur nga historia dhe identiteti i Vlorës.
Shqiptarët duan marrëdhënie të mira me Izraelin.
Duam miqësi me Izraelin, siç duam miqësi me çdo shtet tjetër.
Por miqësia mes shteteve nuk do të thotë që një ambasador apo ambasadore të sillet si guvernator i një vendi sovran.
Diplomacia ka rregulla. Shqipëria është shtet sovran.
Shqiptarët nuk duan konflikte me askënd për shkak të interesave personale të një kryeministri.
Nuk duan që politika e jashtme e Shqipërisë të përdoret për të mbrojtur pushtetin e një njeriu.
Duam miqësi, respekt dhe marrëdhënie të barabarta.
Dhe shqiptarët kërkojnë drejtësi.
Jo spektakël.
Jo sekuestrime vilash për kamera.
Jo goditje selektive.
Jo drejtësi që duket sikur godet një pjesë të sistemit dhe kursen pjesën tjetër.
Shqiptarët duan që kush ka abuzuar me pushtetin të përballet me drejtësinë, pavarësisht se në cilin krah politik ndodhet.
Nëse ka prova dhe përgjegjësi penale ndaj zyrtarëve të lartë, ata duhet të hetohen dhe të dalin para drejtësisë.
Kjo vlen për Belinda Ballukun.
Kjo vlen për çdo ministër.
Kjo vlen për çdo deputet.
Kjo vlen për çdo ish-kryeministër.
Kjo vlen për çdo biznesmen që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga shteti.
Ligji duhet të jetë një për të gjithë.
Shqiptarët nuk duan një SPAK që perceptohet si pjesë e establishmentit.
Duam një SPAK të fortë, të pavarur dhe profesional.
Duam prokurorë që nuk shohin ngjyrën e partisë, emrin e pushtetarit apo fuqinë e biznesmenit.
Duam drejtësi.
Dhe shqiptarët nuk duan polici politike.
Duam një polici që mbron qytetarin.
Një polici që lufton krimin.
Një polici që nuk përdoret për të trembur protestuesit, për të mbrojtur pushtetarët apo për të mbyllur gojën e kundërshtarëve.
Policia duhet t’i shërbejë qytetarit, jo pushtetit.
Shqiptarët nuk duan që Shqipëria e vitit 2026 të mbushet me punëtorë të huaj sepse shteti nuk është në gjendje të krijojë kushte që shqiptarët të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre.
Shqiptarët dinë të punojnë.
Dinë të ndërtojnë.
Dinë t’u shërbejnë prindërve të tyre.
Dinë të ndërtojnë familjet e tyre.
Por shteti duhet t’u japë mundësinë.
Nuk mund të ndërtohet një Shqipëri ku të rinjtë shqiptarë largohen dhe vendin e tyre e mbushin punëtorë nga vende të tjera, ndërkohë që qeveria pretendon se ekonomia po lulëzon.
Problemi nuk janë indianët, filipinasit apo asnjë komb tjetër. Problemi është politika që nuk arrin t’u krijojë shqiptarëve mundësinë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.
Shqiptarët duan të punojnë në Shqipëri.
Duam që fëmijët tanë të mos detyrohen të largohen.
Duam që prindërit të mos mbeten vetëm.
Duam që familjet shqiptare të mos jetojnë të ndara nëpër Evropë.
Dhe këtu vjen një nga problemet më të mëdha: arsimi.
Pa arsim nuk ka zhvillim.
Një vend nuk ndërtohet vetëm me kulla, aeroporte, hotele dhe projekte turistike.
Një vend ndërtohet me shkolla.
Me universitete.
Me mësues të mirë.
Me profesionistë.
Me kërkim shkencor.
Me meritokraci.
Kur arsimi drejtohet politikisht dhe kur merita zëvendësohet nga militantizmi, Shqipëria nuk ecën përpara.
Sepse një qeveri mund të ndërtojë një rrugë për disa muaj.
Por për të ndërtuar një brez të aftë duhen vite.
Dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi edhe për të kaluarën.
Duam që ata që kanë shkatërruar ekonominë, industrinë, ushtrinë dhe pasuritë strategjike të vendit të mos fshihen pas flamujve partiakë.
Nuk ka rëndësi nëse kanë qenë në pushtet në vitet ’90, në vitet 2000 apo sot.
Nëse ka përgjegjësi penale, duhet të ketë drejtësi.
Jo hakmarrje.
Jo gjyqe politike.
Drejtësi.
Kjo është ajo që kërkon një shtet serioz.
Dhe pikërisht për këtë arsye protesta e sotme nuk duhet parë vetëm si protestë kundër Edi Ramës.
Është revoltë kundër një sistemi politik që për 35 vjet ka ndryshuar flamujt, partitë dhe sloganet, por ka lënë shumë shqiptarë pa shpresë.
Sot shqiptarët po thonë:
Mjaft!
Mjaft me politikën që prodhon pushtetarë të pasur dhe qytetarë që largohen.
Mjaft me drejtësinë selektive.
Mjaft me policinë politike.
Mjaft me klientelizmin.
Mjaft me oligarkinë.
Mjaft me propagandën.
Mjaft me marrëveshjet që shqiptarët i mësojnë pasi janë bërë.
Mjaft me politikën që vendos për qytetarin pa pyetur qytetarin.
Prandaj kërkesa është e qartë:
Një qeveri tranzitore.
Një qeveri që nuk ka mision të qëndrojë përgjithmonë në pushtet.
Një qeveri që vendos rregulla të barabarta.
Një qeveri që garanton zgjedhje të ndershme.
Dhe pastaj, në një garë të re politike, të hyjnë të gjithë.
Majtas.
Djathtas.
Qendra.
Forcat e reja.
Individë të rinj.
Parti të reja.
Por me të njëjtat rregulla.
Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër shpëtimtar.
Shqipëria ka nevojë për një sistem ku askush të mos jetë mbi ligjin.
Ka mijëra arsye pse shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës.
Por arsyeja më e madhe është kjo:
Shqiptarët nuk duan më të zgjedhin mes dy pjesëve të të njëjtit establishment.
Duam një fillim të ri.
Duam shtet të së drejtës.
Duam drejtësi.
Duam arsim.
Duam ekonomi.
Duam ushtri.
Duam industri.
Duam punë.
Duam dinjitet.
Dhe mbi të gjitha, duam të kemi mundësinë të jetojmë e të punojmë në atdheun tonë.
Sepse Shqipëria nuk është pronë e Ramës, Berishës, Bashës apo e asnjë partie.
Shqipëria është e shqiptarëve.
Dhe kur një popull humbet besimin te një establishment i tërë politik, nuk kërkon më thjesht ndryshimin e një kryeministri.
Kërkon ndryshimin e sistemit.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

