Nga Redaksia – Detaje të reja vijojnë të zbardhen nga takimi rreth pesë orësh i kryeministrit Edi Rama me kryetarët socialistë të bashkive që preken nga ndryshimet e propozuara në hartën territoriale. Mbledhja u zhvillua në Kuç të Vlorës dhe, sipas burimeve të bëra me dije, është shoqëruar me debate dhe përplasje të forta.
Një prej momenteve më të tensionuara ka qenë përplasja mes kryeministrit Rama dhe kryetares së Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.
Mësohet se, në një moment të diskutimeve, Rama iu është drejtuar me ironi kryebashkiakëve, duke përdorur shprehjen “ju udhëheqësit e mëdhenj”.
Memaj i është përgjigjur duke kundërshtuar mënyrën se si po trajtohen kryetarët e bashkive.

“Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje,” mësohet të ketë thënë kryebashkiakja e Dimalit.
Kjo përgjigje raportohet se ka acaruar kryeministrin. Pas debatit, Rama ka kërkuar që Memaj të largohej nga mbledhja.
Përplasja për Poliçanin, Zotkaj largohet nga takimi
Një tjetër përplasje është shënuar me kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili prej kohësh ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj shkrirjes së bashkisë.
Sipas burimeve, Rama i ka thënë Zotkajt se nuk duhej të ishte fare pjesë e takimit, ndërsa gjatë debatit i ka përmendur edhe djegien e teserave të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë veprim si një “akt paturpësie”.
Nga ana e tij, Zotkaj i është përgjigjur kryeministrit duke e akuzuar Partinë Socialiste për mosmirënjohje.
Pas përplasjes me Ramën, kryebashkiaku i Poliçanit është larguar nga mbledhja.
Kundërshtime edhe nga Selenica dhe Divjaka

Debate janë zhvilluar edhe me kryetarin e Bashkisë së Selenicës, Nertil Bello, dhe kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea.
Të dy kanë kundërshtuar propozimet për shkrirjen e bashkive të tyre, duke mbajtur të njëjtin qëndrim që kanë shprehur edhe publikisht përpara takimit.
Sipas burimeve, Bello dhe Gorrea kanë debatuar me Ramën dhe ministrin Arbjan Mazniku, duke argumentuar kundër ndryshimeve të hartës territoriale.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka pretenduar se kundërshtimi i kryetarëve po shkon përtej debatit institucional dhe se ata po nxisin komunitetet lokale kundër reformës territoriale.

Takimi vetëm me bashkitë që preken nga reforma
Mbledhja në Kuç është zhvilluar me pjesëmarrjen e kryetarëve të bashkive që parashikohet të preken nga ndryshimet e hartës territoriale.
Në qendër të diskutimeve ka qenë reforma territoriale dhe ideja për riorganizimin e disa njësive vendore, një proces që ka shkaktuar kundërshtime edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Përplasjet e raportuara gjatë takimit tregojnë se reforma nuk po kalon pa debate as brenda strukturave vendore të mazhorancës, ndërsa kryetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen kanë këmbëngulur në argumentet e tyre kundër ndryshimeve.
Takimi i Kuçit, i cili zgjati rreth pesë orë, është shoqëruar kështu me debate të forta, përplasje personale dhe largime nga mbledhja, duke e bërë reformën territoriale një prej çështjeve më të debatueshme edhe brenda vetë socialistëve.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

