Nga avokat Erald Aga:
Më në fund, andej nga ajo që është quajtur “çeta e mikrofonit”, dje paskan kuptuar dhe artikuluar se organizimi i protestës është i nevojshëm.
Por ky ndryshim qëndrimi ngre disa pikëpyetje të forta.
Pasi, sipas avokatit Erald Aga, për një periudhë të gjatë nuk lejohej dhe sulmohej çdo organizim i grupeve të ndryshme në kuadër të fuqizimit të protestës, bashkimit të njerëzve, shtimit të rezistencës dhe qëndresës ndaj të gjithë klasës politike.
Tani, kur flitet për organizim, pyetjet lindin natyrshëm:
1. Kush janë këta të “çetës së mikrofonit” që marrin vendime në emër të protestuesve?
2. Kush dhe sa protestues votuan dhe si votuan për këtë organizim?
3. Po këta, kush i ka zgjedhur të flasin në emër të protestuesve?
4. Pse kërkojnë organizim të formatit digjital “e-protesta”, fiks si e-Albania?
A po synohet që një lëvizje qytetare të strukturohet përmes një mekanizmi digjital dhe të centralizuar? Dhe, mbi të gjitha, kush do ta administrojë dhe kontrollojë këtë mekanizëm?
5. A po shërben “çeta e mikrofonit” si valvul e klasës politike për të kontrolluar zemëratën popullore?
Kjo është një nga pyetjet më të forta që ngre avokati Erald Aga dhe që meriton një përgjigje publike.
6. Kush janë këta që vendosin se ku dhe kur duhet të organizohen njerëzit?
Kush u ka dhënë autoritetin të japin urdhra apo udhëzime dhe, për më tepër, të godasin këdo që kërkon të organizohet në mënyrë të pavarur?
7. Pse këta duhet të kenë monopolin e njerëzve të protestës?
Protesta nuk është pronë e askujt. Nuk mund të ketë një grup që vendos vetë se kush mund të organizohet, kush mund të flasë dhe cili është drejtimi që duhet të marrë një revoltë qytetare.
Nëse qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i protestës, atëherë pyetja kryesore është: pse duhet të ketë një qendër të vetme që kontrollon organizimin dhe përfaqësimin?
Këto janë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje.
Sepse në një protestë qytetare, zëri duhet të jetë i qytetarëve dhe jo i atyre që kanë kapur mikrofonin.
Kush e përfaqëson protestën: protestuesit apo “çeta e mikrofonit”?
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

