Nga ligji për investimet strategjike tek dokumenti “BESA”, si përshkruhet modeli i zhvillimit të qeverisë Rama
Nga Redaksia – Një investigim ndërkombëtar me titull “Who Owns the Albanian Coast”, i realizuar nga gazetarët Alexia Galanakis, Lorin Kadiu, Pablo Fernández dhe Marta Moreno, paraqet një analizë të detajuar të mënyrës se si, sipas autorëve, është zhvilluar modeli i investimeve turistike përgjatë bregdetit shqiptar gjatë viteve 2015–2026.
Publikimi vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria përjetoi protestat më të mëdha mjedisore të dekadës, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat shpërthyen pas miratimit të resortit luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, projekt i lidhur me fondin e investimeve të Jared Kushner.
Në të njëjtën periudhë, Kryeministri Edi Rama prezantoi dokumentin strategjik “BESA”, një tekst prej 39 faqesh, ende i papublikuar plotësisht, që sipas qeverisë do të shërbejë si metodë e re e vendimmarrjes. Testi i parë i kësaj metode do të jetë pikërisht e ardhmja e Vjosë-Nartës, përmes 90 ditëve konsultime publike në platformën “Flamingo Mirror”. Dokumenti thekson gjithashtu se “qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara”, formulim që ka nxitur debat publik.
Një sistem i ndërtuar mbi ligje, leje dhe statusin “Investitor Strategjik”

Sipas investigimit, zhvillimi i bregdetit nuk është rezultat i vendimeve të izoluara, por i një mekanizmi që përfshin:
- Ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015;
- ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitet 2017, 2021 dhe 2024;
- statusin “Investitor Strategjik”;
- vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT);
- zgjerimin progresiv të projekteve përmes lejeve të njëpasnjëshme.
Autorët analizojnë 252 vendime të KKT-së, duke argumentuar se ato tregojnë një model të qëndrueshëm të transformimit të vijës bregdetare.
Aeroporti i Vlorës
Një nga rastet që zë vend qendror në investigim është Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, në zonën Akërni – Vjosa-Nartë.
Sipas autorëve, ndërtimi i aeroportit u parapri nga ndryshime në kufijtë e zonës së mbrojtur, duke e bërë të mundur realizimin e projektit.
Në investigim si zhvillues të projektit përmenden:
- Mabco / Mabetex, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli;
- YDA İnşaat;
- 2A Group.
Ky projekt paraqitet si një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si, sipas autorëve, ndërveprojnë ndryshimet ligjore dhe vendimmarrja institucionale.
Green Coast

Një tjetër projekt i analizuar është Green Coast, në Palasë, Himarë.
Sipas investigimit:
- zhvillues është BALFIN Group, në pronësi të Samir Manes;
- projekti arkitektonik është realizuar nga studioja Emre Arolat Architecture.
Autorët evidentojnë se Green Coast është zgjeruar përmes 17 vendimeve të ndryshme, duke e përdorur si shembull të faktit se resortet e mëdha nuk ndërtohen me një leje të vetme, por përmes një zinxhiri miratimesh që shtojnë faza, sipërfaqe dhe kompani të reja.

Marina e Durrësit dhe projektet e tjera
Investigimi ndalet edhe te Marina e Durrësit, për të cilën thuhet se mori 10 vendime të KKT-së vetëm gjatë shtatë muajve të vitit 2025.
Po ashtu analizohen projekte si:
- Blue Borgo në Rrjoll;
- Zvërneci;
- Vlora Marina;
- Kakome;
- Marina Bay;
- San Pietro;
- Lalzi Marina.
Himara në epiqendër

Nga të dhënat rezulton se:
- Himara ka 102 vendime të KKT-së, ose 41% të totalit;
- Durrësi–Kavaja 80 vendime;
- Vlora 32 vendime, por sipërfaqen më të madhe të tokës së përfshirë;
- Shkodra–Lezha 14 vendime;
- Saranda 23 vendime.
Sipas autorëve, Riviera shqiptare është zona ku ky model zhvillimi është zbatuar më intensivisht.
Çështja e pronësisë dhe e ujit
Investigimi trajton edhe konfliktet mbi pronësinë e tokës në Rrjoll, ku përmendet se SPAK po heton pretendime për dokumente pronësie të falsifikuara në disa transaksione që lidhen me projektin Blue Borgo.
Një tjetër element është furnizimi me ujë i resorteve të reja përmes sistemit të Shushicës, që do të transferojë ujë drejt Dhërmiut, Palasës dhe Himarës.
Një debat që tejkalon Shqipërinë
Publikimi i “Who Owns the Albanian Coast” e vendos zhvillimin e bregdetit shqiptar në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Investigimi ngre pyetje mbi balancën mes zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit, transparencës së vendimmarrjes dhe përdorimit të instrumenteve ligjore për projektet turistike.
Ndërsa qeveria promovon dokumentin “BESA” si një metodë të re konsultimi dhe vendimmarrjeje, autorët e investigimit argumentojnë se sfida kryesore mbetet vlerësimi i mënyrës se si janë marrë vendimet që kanë transformuar bregdetin shqiptar gjatë dekadës së fundit.
INVESTIGIMI NDËRKOMBËTAR “WHO OWNS THE ALBANIAN COAST” QË NGRITI ALARMIN PËR BREGDETIN SHQIPTAR
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

