VIDEO: Rama po e rrit dozën e terrorit për të treguar se është i pamposhtur, policia shtyn protestuesit edhe në trotuar …
Nga Redaksia – Sa më shumë zgjatet protesta kundër qeverisë, aq më shumë shtohet tensioni përpara Kryeministrisë. Pamjet e fundit nga protesta tregojnë një tjetër përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë ndërhyrë për t’i larguar protestuesit nga hapësira përpara godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit po zhvillonin tubimin e tyre në mënyrë paqësore, por uniformat blu i kanë shtyrë drejt trotuarit, duke mos i lejuar të qëndrojnë përpara institucionit ku drejtohen kërkesat dhe protestat e tyre.
Në pamjet e publikuara shihet edhe flamurtari i protestës, i cili shtyhet nga efektivët, ndërsa qytetarët përpiqen të ruajnë qëndrimin e tyre dhe të vijojnë protestën.
E drejta për të protestuar është e garantuar nga Kushtetuta. Ajo nuk është privilegj që qeveria apo policia mund t’ua japin ose t’ua heqin qytetarëve sipas dëshirës.
Policia ka detyrimin të garantojë rendin dhe sigurinë publike, por ky detyrim nuk mund të përdoret si justifikim për ndërhyrje të pajustifikuara ndaj protestuesve paqësorë.
Pyetja që lind nga pamjet është e thjeshtë: përse qytetarët që protestojnë kundër qeverisë nuk lejohen të qëndrojnë përpara institucionit ndaj të cilit kanë drejtuar protestën?
A është bërë prania e protestuesve përpara Kryeministrisë një problem kaq i madh për pushtetin, saqë edhe qëndrimi i tyre në hapësirën publike duhet të kontrollohet me forcën e uniformave blu?
Në vend që protesta të trajtohet si një shprehje legjitime e pakënaqësisë qytetare, pamjet e fundit japin përshtypjen e një përpjekjeje për ta zhvendosur dhe kufizuar fizikisht praninë e protestuesve.
Rama mund të vazhdojë të deklarojë se nuk largohet nga pushteti nën presionin e rrugës, por një qeveri që ndihet e sigurt në legjitimitetin e saj nuk ka arsye ta trajtojë protestën paqësore si një kërcënim për sigurinë e shtetit.
Sa më shumë shtohet presioni policor ndaj qytetarëve, aq më e rëndësishme bëhet pyetja se çfarë po përpiqet të mbrojë realisht ky demonstrim force: rendin publik apo imazhin e një pushteti që nuk dëshiron të përballet me kundërshtimin qytetar?
Rama po e rrit dozën e presionit për të treguar se është i pamposhtur. Por pushteti nuk matet me numrin e policëve që vendos përballë protestuesve. Ai matet edhe me respektimin e të drejtave të qytetarëve që kërkojnë llogari.
© Copyright of PatriotikMedia.al


