Ushtari i komandantit Tërmet Peçi i “rrëmben” ujin Mezhgoranit, KLSH zbulon malin me shkelje në resortin e Adnan Hakos …
Nga Redaksia – Ujësjellësi Peshtan-Mezhgoran, një investim prej rreth 2 milionë eurosh, vijon të jetë i papërfunduar, ndonëse janë paguar afro 64 milionë lekë për kompanitë ndërtuese. Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë shkeljesh në ndërtimin e resortit agroturistik të biznesmenit Adnan Hako, duke ia atribuar përgjegjësinë ish-kryetarit të Bashkisë Tepelenë, sot deputet i PS-së, Tërmet Peçi.
Për vite me radhë, banorët e Mezhgoranit në Tepelenë kanë kundërshtuar projektin e Bashkisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e ujësjellësit në zonën e Peshtanit. Banorët nuk kanë qenë kundër investimit publik, por kanë ngritur shqetësimin se projekti nuk synonte përmirësimin e furnizimit me ujë për komunitetin, por kanalizimin e burimeve ujore drejt një resorti privat.
Pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve të vazhdueshme, projekti i vitit 2021, me emërtimin “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit me ujë të fshatit Peshtan-Mezhgoran”, me një kosto prej rreth 2 milionë eurosh, ka vijuar të zbatohet, megjithëse me vonesa të konsiderueshme.

Por tashmë problematikat janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në një auditim përputhshmërie të kryer në Bashkinë Tepelenë, KLSH ka konstatuar se ujësjellësi nuk është përfunduar, ndërkohë që për punimet janë paguar 63,989,574.84 lekë pa TVSH për kompanitë ndërtuese “2T shpk” dhe “G.P.G Company”.
Për audituesit, pagesat e kryera për një vepër publike që nuk ka përfunduar përbëjnë përdorim pa eficiencë të fondeve publike.
Në raportin e tij, KLSH rekomandon që Bashkia Tepelenë të ngrejë një grup pune për të identifikuar shkaqet dhe personat përgjegjës për përdorimin joefektiv të buxhetit publik, duke kërkuar llogaridhënie për afro 64 milionë lekët e paguara për punime që nuk kanë prodhuar efektin e pritshëm.
Por ujësjellësi është vetëm njëra anë e kësaj historie. Në qendër të vëmendjes së auditimit ka qenë edhe resorti privat, ndërtimi i të cilit është bërë shkak për kundërshtimet e banorëve.
Resorti i Adnan Hakos, me status investitori strategjik
Në korrik të vitit 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, i dha statusin e investitorit strategjik projektit “Zagroturizëm”, të propozuar nga një kompani me të njëjtin emër, në pronësi të sipërmarrësit Adnan Hako, i njohur në fushën e prodhimit të produkteve të sallamerisë.
Projekti parashikonte ndërtimin e një hoteli me 62 dhoma, në një sipërfaqe prej rreth 14 mijë metrash katrorë në zonën e Peshtanit, në Tepelenë.
Gjithashtu, investimi përfshinte ndërtimin e një vreshti, një kantine vere, ambienteve çlodhëse dhe disa vilave prej druri, në një sipërfaqe totale prej 32 mijë metrash katrorë.
Vlera e parashikuar e investimit ishte rreth 5.5 milionë euro.

Procedurat e miratimit dhe zbatimit të këtij projekti janë bërë pjesë e verifikimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar një sërë problematikash që lidhen me dokumentacionin e pronësisë, projektin arkitektonik, furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
KLSH evidenton një sërë shkeljesh në resort
Sipas raportit të auditimit, një nga problematikat kryesore lidhet me dokumentacionin e pronësisë mbi tokën ku po zhvillohet resorti.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se dokumentet e pronësisë nuk janë ngarkuar të noterizuara dhe nuk është siguruar garancia e nevojshme për të vërtetuar se mbi pronat në zhvillim nuk janë kryer transaksione apo tjetërsime.
Më tej, KLSH evidenton se shtatë nga njëmbëdhjetë pasuritë e përfshira në projekt nuk disponojnë dokumentacion përfundimtar pronësie, por janë të pajisura me certifikata vërtetimi titulli në përdorim ose certifikata regjistrimi përdorimi.
Në disa raste, dokumentet e pronësisë nuk rezultojnë të rifreskuara gjatë tre muajve të fundit.

Këto konstatime ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë trajtuar dokumentet e pronësisë për një projekt që ka përfituar statusin e investitorit strategjik.
Një kontrast i fortë shfaqet edhe me qëndrimin e institucioneve ndaj ndërtimeve në zona të tjera të vendit.
Në verën e vitit 2025, ndërhyrjet e IKMT-së në Theth u justifikuan nga qeveria me mungesën e dokumentacionit përfundimtar të pronësisë nga disa ndërtues të bujtinave. Ndërsa në rastin e resortit në Peshtan, KLSH evidenton problematika të ngjashme në dokumentacionin e pronësisë, të cilat nuk janë trajtuar me të njëjtën ashpërsi institucionale.
Probleme edhe me projektin arkitektonik dhe infrastrukturën
Problematikat e evidentuara nga audituesit nuk përfundojnë me dokumentacionin e pronësisë.
Sipas KLSH-së, projekti arkitektonik i “Agro Resort Peshtan” është i paplotë, pasi mungojnë dy prej fasadave teknike të objektit.
Gjithashtu, janë konstatuar mangësi në dokumentacionin teknik për mbrojtjen nga zjarri, projektin hidrosanitar dhe atë elektrik.
Në veçanti, projekti hidrosanitar rezulton i paplotë, pasi mungon lidhja me rrjetin e qytetit për furnizimin me ujë. Audituesit kanë evidentuar gjithashtu mungesën e pajisjeve rrufepritëse dhe të detajeve të instalimeve elektrike.
Pra, një projekt që ka marrë statusin e investimit strategjik rezulton të ketë mangësi në disa prej dokumenteve dhe elementeve themelore teknike të zhvillimit të tij.
Përgjegjësia e Tërmet Peçit
Në përfundimet e raportit, Kontrolli i Lartë i Shtetit identifikon përgjegjësinë për problematikat e konstatuara te ish-kryetari i Bashkisë Tepelenë, të cilin në dokument e referon me inicialet “T.P.” dhe me funksionin kryetar bashkie, aktualisht i larguar.
Bëhet fjalë për Tërmet Peçin, i cili drejtoi Bashkinë Tepelenë për vite me radhë dhe ishte në detyrë gjatë periudhës kur u miratuan dhe u zhvilluan procedurat për projektin e resortit në Peshtan.
Peçi e la detyrën në vitin 2025 për të kandiduar për deputet në listën e Partisë Socialiste dhe aktualisht ushtron mandatin e ligjvënësit.
Konstatimet e KLSH-së rikthejnë në vëmendje përgjegjësinë institucionale për mënyrën se si janë administruar investimet publike dhe private në zonën e Peshtanit.
Nga njëra anë, banorët kanë ngritur shqetësimin se po u merret uji për t’ia orientuar një investimi privat. Nga ana tjetër, auditimi shtetëror evidenton se ujësjellësi publik nuk është përfunduar, megjithëse afro 64 milionë lekë janë paguar, ndërsa në resortin privat janë konstatuar mangësi të shumta dokumentare dhe teknike.
Një situatë që kërkon përgjigje të qarta: Kush mban përgjegjësi për miliona lekët e paguara për një ujësjellës të papërfunduar? Si u miratua dhe u zhvillua një resort strategjik me këto problematika në dokumentacion? Dhe mbi të gjitha, a do të ketë përgjegjësi konkrete për shkeljet e evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit? /Boldnews.al
© Copyright of PatriotikMedia.al


