Studentët tmerrojnë kryeministrin, blindohen hyrjet pranë Kryeministrisë …
Forca të shumta policie dhe makina ujëhedhëse në gatishmëri pas anulimit të mbledhjes së PS-së. Zemërimi i studentëve vijon të tronditë kryeqytetin.
TIRANË – Kryeministria po përballet me masa të shtuara sigurie në një moment kur revolta e studentëve dhe e të rinjve kundër qeverisë vijon të mbajë të tensionuar kryeqytetin. Hyrjet pranë godinës janë blinduar me forca të shumta policie, ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe makinat ujëhedhëse, duke krijuar pamjen e një institucioni që përgatitet për një tjetër përballje me protestuesit.
Masat e shtuara vijnë pas anulimit të mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e planifikuar për këtë të mërkurë, në orën 12:00, në Pallatin e Brigadave. Ndërkohë, rikthimi i studentëve në rrugë dhe përshkallëzimi i protestave e kanë vendosur qeverinë përballë një situate të vështirë politike dhe sociale.
Prania e shtuar e policisë dhe gatishmëria e mjeteve ujëhedhëse tregojnë se autoritetet po përgatiten për mundësinë e përplasjeve të reja. Në një kohë kur studentët dhe të rinjtë po shprehin hapur pakënaqësinë ndaj qeverisë, pamja e institucioneve të rrethuara nga forcat e rendit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si pushteti po i përgjigjet kësaj vale protestash.
Për shumë prej tyre, protesta nuk është thjesht një shpërthim momental zemërimi, por shprehje e humbjes së besimit te institucionet dhe te mundësia për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre.
Pamja e Kryeministrisë nën masa të shtuara sigurie është një sinjal domethënës për klimën politike në vend.
© Copyright of PatriotikMedia.al


