Protestë apo revoltë: Kush do të flasë sot në emër të studentëve para Ministrisë së Arsimit?
Nga Redi Minga:
Sot, në orën 14:00, është thirrur një protestë studentore përballë Ministrisë së Arsimit. Por përtej thirrjeve kundër qeverisë dhe zemërimit që mund të shfaqet në rrugë, pyetja kryesore është: kush do të flasë sot në emër të studentëve dhe çfarë do të prodhojë realisht kjo protestë?
A do të jetë një protestë që do t’i vërë përballë përgjegjësive qeveritarët, apo do të përfundojë me disa thirrje kundër Edi Ramës dhe goditjen me vezë të godinës së Ministrisë së Arsimit?
A do të jetë kjo një protestë e vërtetë studentore apo një revoltë e kontrolluar?
Edi Rama e di shumë mirë se një lëvizje studentore e pavarur, e organizuar dhe e pakontrolluar nga politika mund të kthehet në një cunam për qeverinë e tij. Studentët kanë potencialin të ndezin një revoltë që kapërcen universitetet dhe përhapet në të gjithë shoqërinë. Pikërisht për këtë arsye, një protestë studentore nuk është kurrë një çështje e vogël për një qeveri që përpiqet të mbajë nën kontroll çdo formë pakënaqësie publike.
Por Rama nuk duket se ka arsye të shqetësohet nga një protestë që mund të mbetet brenda kufijve të parashikueshëm, me disa slogane, disa përplasje simbolike dhe pa asnjë rezultat konkret. Nëse zemërimi i studentëve nuk shndërrohet në një lëvizje të pavarur, me kërkesa të qarta dhe vendosmëri për të mos u tërhequr, atëherë protesta rrezikon të përfundojë pa prodhuar asnjë ndryshim.
Studentët apo pseudo-studentët?
Kjo është pyetja që do të marrë përgjigje nga zhvillimet e sotme. Kush do të jetë në krye të protestës? Kush do të përcaktojë kërkesat? A do të dëgjohet zëri i studentëve që kanë probleme reale, apo protesta do të shndërrohet në një skenë ku të tjerë flasin në emër të tyre?
Një protestë studentore nuk matet me numrin e vezëve që hidhen mbi muret e një ministrie dhe as me forcën e thirrjeve kundër qeverisë. Ajo matet me aftësinë për të organizuar studentët, për të artikuluar kërkesa konkrete dhe për të mos lejuar që energjia e tyre të përdoret si dekor politik.
Nëse studentët dalin në rrugë për të kërkuar ndryshim, atëherë ata duhet të jenë vetë zotër të protestës së tyre. Askush nuk mund të pretendojë se përfaqëson studentët vetëm sepse merr megafonin në dorë.
A do të përdoret policia për të trembur studentët?
Një tjetër pikëpyetje lidhet me reagimin e policisë. Nëse protesta merr përmasa më të mëdha dhe studentët tregojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen, përplasjet me uniformat blu mund të bëhen një tjetër provë për mënyrën se si qeveria përballet me kundërshtimin.
Një reagim i ashpër policor mund të përdoret për të frenuar pjesëmarrjen dhe për të përcjellë mesazhin se dalja kundër qeverisë ka kosto. Por presioni dhe frika nuk e zgjidhin pakënaqësinë. Përkundrazi, ato mund ta shtojnë zemërimin kur njerëzit ndihen të pambrojtur përballë pushtetit.
Sot do të shihet nëse protesta do të mbetet një episod disaorësh, që përfundon me disa pamje për rrjetet sociale, apo nëse do të shndërrohet në fillimin e një lëvizjeje studentore që nuk pranon të përdoret nga askush.
Pyetja nuk është vetëm kush do të dalë sot në protestë. Pyetja është: kush do të flasë në emër të studentëve dhe kush do të përfitojë nga zemërimi i tyre?
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al


