Allison Guerriero, ish-partnerja e Charles McGonigal, është gjetur e vdekur në banesën e saj, vdekja e saj vjen në një moment kur emri i saj ishte rikthyer sërish në qendër të debatit publik për dosjen McGonigal
Nga Redaksia – Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ish-drejtorit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Florida. Vdekja e saj vjen në një moment kur emri i Guerrieros ishte rikthyer në vëmendjen publike për shkak të deklaratave të saj mbi ish-partnerin dhe marrëdhëniet e tij me Shqipërinë.
Guerriero kishte qenë në një lidhje me McGonigalin dhe, pas ndarjes, kishte kontaktuar autoritetet amerikane duke dhënë informacion mbi aktivitetet e ish-zyrtarit të FBI-së.
Por dëshmitë e saj nuk lidhen vetëm me McGonigalin.
Ajo kishte folur edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama dhe për udhëtimet që ish-drejtori i kundërzbulimit të FBI-së kishte kryer në Shqipëri.
Guerriero kishte deklaruar se McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte në Shqipëri për t’u takuar me Ramën.
“Ai po shkonte në Shqipëri për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama”, kishte deklaruar ajo.
Sipas Guerrieros, McGonigal fliste shpesh për kryeministrin shqiptar dhe kishte një marrëdhënie të afërt me të. Deklaratat e saj për udhëtimet në Shqipëri dhe kontaktet me Ramën u bënë pjesë e debatit të gjerë që pasoi shpërthimin e skandalit McGonigal.
Ish-zyrtari i FBI-së përfundoi më pas i dënuar në Shtetet e Bashkuara për çështje penale që lidhen me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe me fshehjen e pagesave që kishte marrë nga Agron Nezaj, një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.
Por çfarë e bën të veçantë vdekjen e Guerrieros?
Jo vetëm fakti se ajo kishte qenë pjesë e historisë McGonigal.
Por edhe momenti në të cilin ajo u gjet e vdekur.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, 52-vjeçarja kishte qenë aktive në rrjetin social X vetëm pak orë përpara vdekjes. Ajo kishte publikuar dhjetëra mesazhe dhe kishte folur për raste të tjera që, sipas saj, përfshinin zyrtarë federalë.
Në një prej materialeve të fundit të publikuara prej saj, Guerriero shfaqej duke ecur në rrugë dhe kërkonte që vëmendja publike të mos kufizohej vetëm te çështja McGonigal, por të shtrihej edhe te aktiviteti i zyrtarëve të tjerë federalë.
Në një tjetër postim ajo kishte shkruar:
“E urrej FBI-në.”
Pak më vonë, ajo u gjet e vdekur në banesën e saj në Florida.
Dhe pikërisht këtu lindin pikëpyetjet.
Pse pikërisht tani?
Guerriero ishte rikthyer në mënyrë aktive në publik. Kishte publikuar materiale të reja, kishte folur për FBI-në dhe kishte vijuar të trajtonte publikisht çështjen e ish-partnerit të saj.
Nuk ka të dhëna publike që lejojnë të thuhet se këto zhvillime kanë lidhje me vdekjen e saj.
Por as rrethanat e plota të vdekjes nuk janë bërë të qarta.
Dhe për këtë arsye, vëmendja tashmë përqendrohet te hetimi amerikan: çfarë i ndodhi Allison Guerrieros dhe cilat janë rrethanat në të cilat ajo u gjet e vdekur?
Pyetjet bëhen edhe më të forta për shkak të historisë që ajo mbante pas.
Guerriero kishte folur me autoritetet amerikane për McGonigalin. Kishte dhënë dëshmi mbi aktivitetet e tij. Kishte folur publikisht për Shqipërinë dhe për kontaktet e tij me Edi Ramën.
Tani, zëri i saj është shuar.
Nëse bëhet fjalë për një vdekje natyrale, aksidentale apo për një tjetër rrethanë, këtë duhet ta përcaktojë vetëm hetimi.
Por në një histori ku janë përfshirë një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, interesa ruse, para të lidhura me Shqipërinë dhe kontakte në nivelet më të larta të politikës shqiptare, vdekja e një prej personave që kishte folur për këtë çështje nuk mund të kalojë pa ngritur pyetje.
Jo për të nxjerrë përfundime.
Por për të kërkuar përgjigje.
Çfarë ndodhi me Allison Guerrieron dhe përse vdekja e saj ndodhi pikërisht në këtë moment?
Kjo është ajo që duhet të zbardhet.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

