Nga Redi Minga:
Në Shqipërinë e 36 viteve të fundit ka një traditë politike më të fortë se çdo traditë tjetër: kryeministri gjithmonë del i pastër.
Gjithmonë.
Pavarësisht se çfarë ndodh rreth tij, pavarësisht sa ministra, zv.ministra, deputetë, drejtorë e njerëz të afërt përfundojnë në hetime, në procese gjyqësore apo nën akuza publike, kryeministri mbetet aty, i pastër si dëbora e parë e dimrit.
Fatos Nano pati një fat disi tjetër. Për të, historia politike ishte më pak bujare dhe kundërshtari i tij i përjetshëm, Sali Berisha, nuk e la aq rehat sa të tjerët. Por kjo është një histori më vete.
Sot kemi Rilindjen.
Dhe këtu fillon komedia e madhe.
Herë pas here dëgjojmë për ministra, ish-ministra, zv.ministra apo zyrtarë të lartë që përballen me hetime, akuza apo probleme ligjore. Në disa raste flitet edhe për pasuri, kompani dhe lidhje biznesi që bëhen objekt diskutimi publik.
Dhe pastaj vjen pyetja e madhe:
Po Rama?
Ah, Rama është tjetër gjë.
Rama është ai kryeministri që, sipas tifozërisë së vet politike, jeton në një univers ku korrupsioni ekziston kudo rreth tij, por nuk ka arritur kurrë të prekë derën e zyrës së tij.
Është si një njeri që ecën në shi me 40 njerëz rreth vetes dhe vetëm ai nuk laget.
Ministri laget.
Zv.ministri laget.
Drejtori laget.
Deputeti laget.
Miku i mikut laget.
Biznesmeni laget.
Por Rama?
Rama ka çadër.
Dhe jo çadër dosido.
Çadër politike me garanci ndërkombëtare.
Tani imagjinoni një simpatizant të PS-së dhe pyeteni:
— More burrë, si ka mundësi që kaq shumë njerëz pranë pushtetit përballen me akuza dhe hetime, ndërsa kryeministri është gjithmonë i pastër?
Përgjigjja zakonisht vjen pa asnjë hezitim:
— Rama është i ndershëm.
Në rregull.
Shkoni te kampi blu dhe bëni të njëjtën pyetje:
— Po Berisha?
— Jo mor burrë, Berisha është i ndershëm. Familje konservatore, burrë i pastër!
Dhe kështu Shqipëria ka arritur një mrekulli statistikore:
Të gjithë kryeministrat janë të pastër, ndërsa papastërtia politike ndodhet gjithmonë dy zyra më tutje.
Po SPAK-u?
Këtu hyn pjesa tjetër e spektaklit.
Disa thonë:
— Duam SPAK-un!
Të tjerë:
— SPAK-u është i kapur!
Pastaj vijnë protestat:
— Rama në burg!
— Berisha në burg!
Dhe unë kam një pyetje krejt naive:
Po pse protestoni?
Nëse Rama duhet të shkojë në burg, nëse Berisha duhet të shkojë në burg, nëse sistemi është kaq i korruptuar, pse pas kaq shumë protestash gjithçka vazhdon njësoj?
Mos vallë protestuesit nuk kanë ku t’i bëjnë pushimet?
Se me këtë ritëm, protesta po fillon të ngjajë më shumë me një abonim mujor sesa me një revolucion.
Të hënën protestë.
Të martën protestë.
Të mërkurën deklaratë.
Të enjten konferencë.
Të premten live në Facebook.
Të shtunën analizë.
Të dielën Diaspora.
Të hënën prapë:
“Rama në burg!”
Dhe Rama vazhdon të jetë kryeministër.
Por pjesa më e bukur janë shefat e protestës.
Ata që dalin me fytyrën e njeriut që sapo ka zbuluar formulën sekrete të shpëtimit të kombit.
I pyet:
— O mik, në rregull, Rama është problemi. Po si rrëzohet?
Dhe këtu vjen përgjigjja.
Jo përgjigjja.
Predikimi.
Dhe është tamam si Jehovait që të trokasin në derë në pikun e vapës.
Ti je brenda, me kondicionerin ndezur, duke pirë kafenë.
Tak-tak.
Hap derën.
— Përshëndetje! Ne jemi të Jehovait. A keni dëshirë t’ju flas 45 minuta për Zotin Jehova?
Ti thua:
— Jo faleminderit.
— Po vetëm 45 minuta.
— Nuk kam kohë.
— Është shumë e rëndësishme.
— Kam punë.
— Na dëgjoni vetëm pak.
Dhe kur e kupton, ke humbur gjysmën e ditës.
E njëjta gjë po ndodh me disa prej kokave të mëdha të protestës shqiptare.
I pyet:
— Si do ta rrëzoni Ramën?
— Mos u përçani!
— Po si?
— Duhet bashkim!
— Mirë, po çfarë bëjmë?
— Duhet të dëgjoni!
— Çfarë të dëgjojmë?
— 45 minuta!
Dhe aty e kupton se nuk ke hyrë në një debat politik.
Ke hyrë në një seancë të Jehovait politik.
Mos bëni pyetje.
Mos kërkoni plan.
Mos kërkoni rezultat.
Mos kërkoni llogari.
Uluni dhe dëgjoni.
45 minuta.
Për kombin.
Për demokracinë.
Për shpëtimin e Shqipërisë.
Dhe në fund, kur mbaron predikimi, pyet:
— Mirë, po Rama si rrëzohet?
— Nesër kemi protestë.
— Po pastaj?
— Do bëjmë tjetër protestë.
— Po nëse nuk bie?
— Duhet të kemi durim.
Amen.
Dhe kështu kemi mbërritur në paradoksin më të madh shqiptar:
Njëra palë betohet se Rama është i pastër, ndërsa rreth tij vazhdojnë të dalin raste dhe akuza që kërkojnë përgjigje institucionale.
Pala tjetër betohet se Berisha është i pastër, ndërsa historia politike e tij është e mbushur me polemika dhe akuza që kanë prodhuar debate për vite.
Dhe të dyja palët kanë nga një shpjegim universal:
Fajin e ka pala tjetër.
Në këtë vend duket sikur korrupsioni është një substancë misterioze që qarkullon nëpër korridoret e pushtetit, por ka një aftësi të jashtëzakonshme:
Nuk ngjitet kurrë te kryeministri.
Prandaj pyetja sot nuk duhet të jetë vetëm:
“Kush është i korruptuar?”
Duhet të jetë:
“Kush mban përgjegjësi politike kur njerëzit përreth pushtetit përballen me akuza, hetime dhe probleme ligjore?”
Sepse një kryeministër mund të mos jetë automatikisht përgjegjës për çdo veprim të një ministri apo zyrtari.
Por një kryeministër nuk mund të kërkojë përgjithmonë meritën për çdo sukses të qeverisë dhe pastaj të deklarojë:
“Për këto të tjerat nuk di gjë.”
Kjo nuk është përgjegjësi.
Kjo është amnezi institucionale.
Dhe për sa kohë shqiptarët do të vazhdojnë të votojnë jo për programin, por për tifozllëkun, do të kemi të njëjtën skenë:
Njëra palë do të thotë:
“Rama është i pastër!”
Tjetra:
“Berisha është i pastër!”
Ndërkohë qytetari i zakonshëm do të pyesë:
“Po kush dreqin e ka ndotur gjithë këtë vend?”
Dhe nga fundi i sallës do të ngrihet një nga kokat e ndritura të protestës:
— Mos u përçani! Ejani këtu se kam diçka për t’ju shpjeguar.
— Çfarë?
— Demokracinë.
— Sa zgjat?
— Vetëm 45 minuta.
A keni kohë t’ju flas për Zotin Jehova?
Sepse, me sa duket, në Shqipëri edhe revolucioni tani ka nevojë për një predikim para se të fillojë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

