Taulant Ballës i kërkohet dorëheqja: Shqiptarja publikon dokumentet e kallëzimit në Francë …

Nga Redaksia – Marjeta Makaj ka publikuar dokumente që, sipas saj, vërtetojnë depozitimin e dy kallëzimeve pranë autoriteteve franceze pas një incidenti të ndodhur më 8 korrik 2026 në Strasburg, ku ajo pretendon se janë përfshirë ajo, djali i saj i mitur dhe ministri Taulant Balla.

Në një deklaratë publike, Makaj i kërkon Ballës të japë dorëheqjen, duke e cilësuar këtë si mënyrën më të denjë për të marrë përgjegjësi politike.

Sipas saj, djali i saj është sulmuar fizikisht, ndërsa ajo është fyer dhe më pas fotografia e saj është publikuar në rrjetet sociale pa pëlqimin e saj, duke u bërë objekt i komenteve fyese dhe kërcënimeve.

Dokumentet e publikuara tregojnë se kallëzimi është regjistruar më 10 korrik 2026 në Policinë Kombëtare Franceze në Strasburg. Në procesverbal përmenden pretendime për dhunë ndaj një të mituri dhe cenim të jetës private. Në dëshminë e saj, Makaj deklaron se djali i saj mbante telefonin pas shpine, ndërsa pretendon se Taulant Balla tentoi t’ia merrte atë, duke e kapur fillimisht nga beli dhe më pas nga krahu i majtë, ku, sipas saj, i mituri mbante një allçi për shkak të një dëmtimi të mëparshëm sportiv.

Sipas procesverbalit, Makaj pretendon gjithashtu se në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë franceze, ndërsa incidenti ka ndodhur në një zonë të mbuluar nga kamerat e sigurisë pranë hotelit Maison Rouge dhe lokalit The Dubliners.

Makaj deklaron se autoriteteve franceze u është dorëzuar edhe një regjistrim video, për të cilin ajo thotë se dokumenton ngjarjen.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka një vendim të autoriteteve franceze mbi këto pretendime. Gjithashtu, nuk është bërë publik një reagim nga Taulant Balla lidhur me akuzat e ngritura nga Marjeta Makaj.

Shënim redaksional: Ky artikull bazohet në dokumentet e kallëzimit të publikuara nga Marjeta Makaj dhe paraqet pretendimet e saj. Çështja është në procedurë pranë autoriteteve franceze dhe përgjegjësia ligjore mund të përcaktohet vetëm nga institucionet kompetente pas përfundimit të hetimeve.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top