Nga Redaksia – Përballë presioneve dhe sulmeve publike, Përparim Gjeka deklaron se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij dhe nga angazhimi i tij në protestat kundër qeverisjes aktuale. Ai shprehet se do të vijojë të jetë pjesë e atyre qytetarëve që kërkojnë ndryshime të thella politike dhe shoqërore në vend.
“Nuk do të tërhiqem. Përkundrazi, do të vazhdoj të jem me krenari një prej 13 firmëtarëve, një prej 700 kuvendarëve, një prej qytetarëve që janë çdo ditë në shesh dhe pjesë e atyre shqiptarëve që kërkojnë një të ardhme tjetër për vendin”, deklaron Gjeka.
Ai thekson se përpjekja e tij lidhet me një vizion për një Shqipëri të re, ku sipas tij të drejtat e qytetarëve duhet të jenë mbi interesat e pushtetarëve.
“Shqipëria e re, me një Kushtetutë të re, ku të drejtat e qytetarëve prevalojnë mbi ato të pushtetarëve; me një kontratë të re shoqërore mes shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike; me një fillim të ri, ku të gjitha subjektet politike dhe ekonomike gëzojnë shanse të barabarta, është për mua një detyrë ndaj Kombit”, shprehet ai.
Gjeka u bën thirrje strukturave të pushtetit që, sipas tij, të mos përballen me qytetarët që protestojnë, duke paralajmëruar se çdo tejkalim i kompetencave ligjore duhet të mbajë përgjegjësi.
Ai sqaron se protesta, sipas tij, nuk është kundër ligjit apo rendit kushtetues, por kundër atyre vendimeve dhe ligjeve që ai i konsideron në kundërshtim me interesin publik.
“Ne nuk jemi kundër ligjeve dhe rendit kushtetues. Ne jemi kundër ligjeve që, sipas nesh, dëmtojnë interesin e përbashkët dhe favorizojnë një pakicë të lidhur me pushtetin”, shprehet Gjeka.
Në deklaratën e tij ai ngre gjithashtu akuza politike ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kërkon hetime për atë që e cilëson si kapje të institucioneve dhe deformim të shtetit ligjor, duke përmendur edhe vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Në fund, Përparim Gjeka u bën thirrje qytetarëve që, sipas tij, nuk kanë përfituar nga pasuria publike dhe burimet e përbashkëta gjatë këtyre dekadave, të bashkohen në një lëvizje për një Shqipëri më të drejtë, të lirë dhe të begatë.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

