Nga Redaksia – Një protestë e zhvilluar dje në kryeqytet, në mbështetje të banorëve të Nartës, nxori në pah edhe revoltën e fortë të banorëve të Rrjollit, të cilët ngritën akuza të drejtpërdrejta ndaj Shkëlzen Berishës për braktisje dhe përfshirje në interesa që, sipas tyre, po çojnë drejt grabitjes së zonës bregdetare.
Me pankarta dhe thirrje të forta, banorët deklaruan publikisht se ndihen të tradhtuar pas dekadash mbështetjeje politike ndaj familjes Berisha.
“Rrjolli për 35 vite votoi Sali Berishën, ndërsa ti na ktheve shpinën! Është edhe Olsi Rama me ty bashkë për të grabitur Rrjollin”, – u shprehën protestuesit gjatë tubimit.
Banorët pretendojnë se në prapaskenë po zhvillohet një betejë për kontrollin e pronave dhe territorit në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit verior shqiptar. Ata shprehen se presioni mbi tokat dhe projektet e dyshimta turistike po rrezikojnë të zhdukin identitetin dhe pronësinë historike të komunitetit vendas.
Sipas tyre, heshtja e institucioneve dhe mungesa e transparencës po shtojnë dyshimet se pas zhvillimeve në Rrjoll fshihen interesa të fuqishme politike dhe ekonomike.
Protestuesit kërkuan reagim të menjëhershëm nga autoritetet shtetërore, publikimin e çdo kontrate apo projekti që prek zonën dhe garantimin e të drejtave të banorëve autoktonë.
Çështja e Rrjollit rikthen edhe njëherë në vëmendje konfliktet e vazhdueshme mbi pronat në bregdetin shqiptar, ku shpesh banorët përballen me presione, investime të dyshimta dhe mungesë mbrojtjeje ligjore.
Në rrjetet sociale reagimet kanë qenë të shumta, ndërsa debati për zhvillimin turistik dhe fatin e pronave në zonat bregdetare po bëhet gjithnjë e më i tensionuar.
A po përgatitet një tjetër grabitje e heshtur e tokave shqiptare në emër të turizmit dhe interesave politike? Kjo është pyetja që sot shtrojnë banorët e Rrjollit.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
