Nga Redaksia – Deklarata të forta dhe alarmante po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku ish-spiuni izraelit Jonathan Pollard flet për një përshkallëzim të ri të konflikteve në Lindjen e Mesme pas Iranit, Gazës dhe Libanit.
Në deklaratat që po shpërndahen masivisht online, Pollard shprehet se Izraeli mund të përballet në të ardhmen me Turqinë dhe Egjiptin, duke e cilësuar këtë si një stuhi të madhe që po afrohet.
https://rumble.com/shorts/v7ai1p2
“Nuk jam aq i sigurt se do ta kemi aq të lehtë me turqit, sa e kemi pasur me iranianët. Kam ndjekur doktrinën ushtarake turke dhe stuhia po vjen.”
Ai e konsideron Turqinë një kundërshtar shumë më kompleks për shkak të fuqisë ushtarake dhe faktit që është pjesë e NATO-s.
“Po, sigurisht. Dhe ata janë anëtarë të NATO-s. Madje edhe më keq, janë anëtarë të NATO-s.”
Sipas Pollard, Izraeli duhet fillimisht të mbyllë përplasjet aktuale me Iranin, Gazën dhe Hezbollah-un, përpara se të përballet me një konflikt të ri rajonal.
“Unë e shoh Iranin si një problem që absolutisht duhet ta përfundojmë. Gaza, e njëjta gjë, dhe Hezbollah-u gjithashtu. Pse jam kaq i përqendruar tek kjo tani? Sepse duhet të jemi të përgatitur për luftën e ardhshme, e cila me shumë gjasa do të jetë kundër Turqisë dhe Egjiptit.”
Deklaratat kanë shkaktuar reagime të shumta në internet, pasi përmendja e një konflikti të mundshëm me Turqinë – një nga ushtritë më të fuqishme të NATO-s – shihet si një skenar me pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin.
Turqia ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Izraelit për luftën në Gaza, ndërsa Egjipti vazhdon të mbetet një faktor strategjik kyç në Lindjen e Mesme.
Nëse këto deklarata përfaqësojnë mendim personal të Jonathan Pollard apo pasqyrojnë frikë reale brenda qarqeve strategjike izraelite, kjo mbetet e paqartë. Por tensionet në rajon vazhdojnë të rriten dhe retorika e luftës po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
