Ngushtica e Hormuzit në flakë – Irani hap zjarr ndaj 4 anijeve, SHBA godasin objekte ushtarake në jug të Iranit …

Nga Redaksia – Ngjarje të rënda po zhvillohen në një nga pikat më strategjike të botës – Ngushtica e Hormuzit, ku tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi ushtarak dhe ekonomik.

Sipas mediave shtetërore iraniane, katër mjete lundruese që tentuan të kalonin Ngushticën e Hormuzit janë detyruar të kthehen mbrapsht pasi nuk kishin koordinuar lëvizjen me autoritetet iraniane.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raporton se forcat detare iraniane fillimisht lëshuan paralajmërime ndaj anijeve. Pas mosbindjes ndaj këtyre urdhrave, situata u përshkallëzua dhe u hap zjarr për t’i ndalur ato.

Teherani pretendon se kalimi në këtë zonë kërkon domosdoshmërisht koordinim paraprak, ndërsa çdo shkelje e protokolleve konsiderohet rrezik për sigurinë detare të vendit.

Paralelisht me zhvillimet në det, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj një strukture iraniane të quajtur “Persian Gulf Strait Authority”, e cila merret me menaxhimin e kërkesave për kalim nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sekretari amerikan i Thesarit deklaroi se Uashingtoni po mban “presion maksimal ndaj Iranit”, duke theksuar se masat synojnë kufizimin e aktivitetit iranian në një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë.

Situata është tensionuar edhe më tej pas raportimeve për një operacion ushtarak amerikan në jug të Iranit.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se forcat e Komandës Qendrore të SHBA kanë rrëzuar katër dronë iranianë që, sipas tyre, përbënin kërcënim në zonën e Hormuzit. Po ashtu, është goditur një qendër kontrolli në qytetin Bandar Abbas, e cila dyshohej se po përgatiste lëshimin e një droni të pestë.

Uashingtoni i ka cilësuar këto veprime si “mbrojtëse dhe të kufizuara”, duke theksuar se synimi është ruajtja e stabilitetit dhe shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit. Çdo përplasje ushtarake në këtë zonë ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Me sulme, sanksione dhe tensione të ndërsjella, situata po hyn në një fazë ku çdo incident i vogël mund të shndërrohet në përplasje më të gjerë rajonale. /ANSA

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *