Nga Redaksia – Teksa Edi Rama u përpoq t’ua shiste shqiptarëve hapjen e grupkapitujve me Bashkimin Europian si një triumf historik dhe si një “biletë të prerë” drejt anëtarësimit, realiteti diplomatik që erdhi nga Berlini dhe Haga tregoi një panoramë krejt tjetër.
Në Bruksel pati buzëqeshje, foto dhe deklarata optimiste, por pas fasadës propagandistike të qeverisë së Rilindjes, dy nga shtetet më skeptike të Europës ndaj Shqipërisë – Gjermania dhe Holanda – dhanë një mesazh të qartë: rruga drejt BE-së nuk është as e garantuar dhe as e fituar.
Në fund të deklaratave të tyre, ambasadorët gjerman dhe holandez kujdesen të vendosin “frenën e realitetit” mbi euforinë e Ramës. Ata theksuan se hapja e kësaj faze nuk është një notë pozitive përfundimtare për Shqipërinë, por vetëm një inkurajim për të vazhduar procesin.
Me fjalë të tjera: Europa nuk i beson ende shtetit shqiptar.
Dy diplomatët europianë rikujtuan se kushtet e vendosura ndaj Tiranës nuk kanë rënë dhe nuk janë harruar. Ato thjesht janë zhvendosur në një fazë tjetër, edhe më të vështirë dhe më të ndjeshme. Në qendër të vëmendjes tashmë janë grupkapitujt e quajtur “Themeloret”, që lidhen drejtpërdrejt me shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë reale të drejtësisë dhe standardet demokratike.
Kjo është pikërisht pika ku regjimi i Rilindjes ka dështuar për vite me radhë.
Sepse ndërsa propaganda flet për “Shqipërinë europiane”, realiteti në vend është krejt tjetër:
– korrupsion galopant,
– largim masiv i shqiptarëve,
– kapje politike e institucioneve,
– skandale të njëpasnjëshme me tendera dhe koncesione,
– dhe një drejtësi që ende perceptohet si nën ndikim politik.
Edhe media zyrtare gjermane nuk la vend për interpretime romantike. Mesazhi ishte i prerë:
“Faza më e vështirë për qeverinë shqiptare fillon tani.”
Pra në thelb, Europa po i thotë Tiranës diçka shumë të thjeshtë:
faza romantike e “puthjeve” për integrimin ka marrë fund. Tani nis testi i shtetit.
Dhe ky test nuk kalon me propagandë televizive, me samite luksoze apo me fotografi në korridoret e Brukselit. Ai kalon vetëm me institucione funksionale, me zgjedhje të besueshme, me ndëshkim të korrupsionit dhe me një shtet që respekton ligjin.
Por pyetja që shtrohet sot është:
A mund ta kalojë këtë provim një qeveri që prej 12 vitesh akuzohet pikërisht për deformimin e këtyre standardeve?
Ndaj shumë analistë po e lexojnë këtë moment si “puthjen e lamtumirës” mes propagandës së Ramës dhe realitetit europian. Sepse Berlini dhe Haga nuk dhanë garanci për anëtarësim. Ata dhanë vetëm një paralajmërim diplomatik: Shqipëria është ende nën vëzhgim.
Dhe kur Europa thotë “do t’ju monitorojmë nga afër”, zakonisht do të thotë se besimi ende mungon.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
