Nga Redaksia – Një reagim i fortë dhe pa filtra ka ardhur nga aktivistja dhe bashkëthemeluesja e Rithemelimit, Evi Kokalari, e cila ka sulmuar ashpër drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike, duke i akuzuar për manipulim, tradhti dhe uzurpim të meritokracisë brenda opozitës.
Kokalari nis deklaratën e saj me dy sqarime për mediat, duke theksuar se nuk është “ish-anëtare” e Rithemelimit, por bashkëthemeluese dhe pjesë e lidershipit aktual të PD-së.
“Unë nuk jam e skualifikuar në këtë garë, sepse as Albana Vokshi, as Ivi Kaso dhe as Sali Berisha nuk kanë tagër moral apo politik të më përjashtojnë”, deklaron ajo.
Në reagimin e saj, Kokalari sulmon drejtpërdrejt Albana Vokshin dhe Ivi Kason, duke thënë se ata nuk kanë as kontributin dhe as legjitimitetin për të dhënë leksione mbi Partinë Demokratike.
Sipas saj, nëse nuk provojnë publikisht se kanë qenë faktor kyç në rikthimin e PD-së tek Rithemelimi gjatë viteve 2021-2022, atëherë duhet “të mbyllin gojën dhe të largohen nga partia”.
Ajo paralajmëron gjithashtu se në të ardhmen, çdo person i kapur me manipulim votash apo vjedhje në parti duhet të përjashtohet automatikisht nga PD-ja.
Një pjesë e fortë e deklaratës së Kokalarit lidhet edhe me raportin e saj me Sali Berishën. Ajo pretendon se rikthimi i Berishës në krye të PD-së ishte rezultat direkt i betejës së saj kundër ambasadores amerikane Yuri Kim dhe strukturave diplomatike amerikane të kohës.
“Lufta ime ishte kundër ambasadores amerikane. Asnjëri prej tyre nuk kishte guximin të përballej me atë presion”, shprehet ajo.
Kokalari deklaron se pas humbjes së zgjedhjeve të majit 2025, Berisha humbi çdo të drejtë morale për të drejtuar opozitën dhe se “stafeta automatikisht i kalon asaj”.
Ajo akuzon Berishën se harxhoi miliona dollarë me strategë amerikanë si Paul Manafort, Chris LaCivita dhe Continental Strategy pa arritur të shpëtonte politikisht Partinë Demokratike.
“Demokratëve iu hoq meritokracia dhe në krye u vendosën clown-a politikë”, deklaron Kokalari, duke iu referuar figurave drejtuese të PD-së.
Në fund të reagimit të saj, Evi Kokalari lë të kuptohet se po punon në disa drejtime politike dhe ndërkombëtare për të ardhmen e opozitës shqiptare dhe përballjen me Edi Ramën.
“Vetëm unë kam marrëdhëniet e duhura në SHBA për të hequr Ramën”, shkruan ajo, ndërsa shton se lidhjet e Ramës me Jared Kushner “nuk do të zgjasin shumë”.
Deklarata e Kokalarit vjen në një moment tensionesh të forta brenda opozitës dhe pritet të hapë debate të mëdha në kampin demokrat, ku përplasjet për drejtimin e PD-së po bëhen çdo ditë më të ashpra.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
