Farsa 3.7 milionë euro e tenderit për makinat e Policisë/ “Kostumi slim fit” që të çon vetëm tek Land Rover Defender …

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama habiti opinionin publik kur deklaroi se Shqipëria është përpara Gjermanisë dhe Suedisë për ndershmërinë dhe konkurrencën në tenderat publikë. Por ndërkohë që propaganda flet për “standarde europiane”, realiteti i tenderave shtetërorë tregon një tjetër fytyrë të sistemit të Rilindjes.

Një nga rastet më flagrante është tenderi i zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për blerjen e automjeteve të Policisë së Shtetit, me një vlerë prej 359 milionë lekësh ose rreth 3.7 milionë euro.

Sipas dokumenteve të tenderit, do të blihen 76 automjete SUV për forcat e policisë, nga të cilat 20 automjete 4×4 dhe 56 automjete 2×4. Në pamje të parë, specifikimet teknike duken si kërkesa normale administrative. Por për këdo që njeh industrinë automotive, kriteret teknike të vendosura nuk janë aspak të rastësishme.

Përmasat dhe parametrat e kërkuar në dokumentacion përputhen pothuajse në mënyrë perfekte vetëm me një model automjeti: Land Rover Defender 110.

Ky automjet tregtohet në Shqipëri ekskluzivisht nga kompania e lidhur me familjen e kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako, duke ngritur dyshime të forta se tenderi është qepur me porosi për një fitues të paracaktuar.

Madje, ironia bëhet edhe më e madhe kur në lojë hyn inteligjenca artificiale, aq e promovuar nga vetë kryeministri. Sipas përgjigjes së inteligjencës artificiale mbi kriteret e tenderit:

“Land Rover Defender 110 (D300/D350 Diesel) është modeli që përmbush kërkesat për lartësi, gjerësi, distancë nga aksi i rrotave, lartësi nga toka dhe efikasitet të karburantit, ndërsa gjatësia e tij është brenda maksimumit të kërkuar.”

Pra, ajo që duhej të ishte një garë e hapur publike, rezulton të jetë një “kostum slim fit” i qepur me milimetër për një model të vetëm automjeti.

Flamuri i kuq më i madh që ngre dyshime për manipulim është kombinimi absurd i kritereve: distanca mes akseve kërkohet minimalisht 3000 mm, ndërsa gjatësia totale e mjetit maksimalisht 5050 mm. Një kombinim teknik tepër specifik, që eliminon praktikisht shumicën e SUV-ve në treg dhe kanalizon garën drejt një produkti të vetëm.

Nuk dihet ende nëse këto specifikime janë hartuar nga vetë Policia e Shtetit apo nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Por ajo që duket qartë është se kemi të bëjmë me një tjetër skemë ku tenderat publikë dyshohet se përdoren për të favorizuar klientët e pushtetit.

Ndërsa qytetarëve u kërkohet të besojnë se Shqipëria paskësh kaluar Gjermaninë e Suedinë në ndershmëri, dokumentet e tenderave tregojnë një realitet krejt tjetër: një sistem ku gara deformohet përmes kritereve të qepura dhe ku paratë publike rrezikojnë të përfundojnë në duart e klientelës politike.

Në një shtet normal, një rast i tillë do të mjaftonte që prokuroria të sekuestronte menjëherë dokumentacionin e tenderit dhe të niste hetime për shpërdorim detyre, favorizim dhe shkelje të barazisë në tendera publikë. Në Shqipërinë e Rilindjes, mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të veprojë apo do të vazhdojë të heshtë përballë një tjetër afere miliona eurosh. /KAPITALI

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *