Nga Redi Minga:
Në muajt e fundit është krijuar një iluzion i madh në hapësirën mediatike shqiptare: sikur disa podcaste, disa intervista virale dhe disa “truth bomb” në rrjete sociale mjaftojnë për të rrëzuar një regjim të tërë politik që ka ndërtuar pushtetin e vet prej më shumë se një dekade.
Por realiteti politik është shumë më i ashpër dhe shumë më kompleks.
Rilindja Sorosiane nuk është thjesht një parti politike që mbahet në këmbë nga propaganda televizive apo nga disa figura publike. Ajo është një sistem i tërë pushteti që kontrollon administratën, financat, propagandën, klientelizmin, institucionet dhe një pjesë të madhe të ekonomisë së vendit. Një regjim i tillë nuk shembet nga disa orë debat në studio apo nga disa miliona klikime në TikTok e YouTube.
Podcastet mund të kenë ndikim. Mund të zgjojnë njerëz. Mund të ekspozojnë skandale. Mund të thonë të vërteta që mediat tradicionale i fshehin. Por historia politike nuk njeh asnjë rast ku një pushtet i konsoliduar është rrëzuar vetëm nga “bisedat online”.
Shqiptarët duhet ta kuptojnë një gjë themelore: informacioni nuk mjafton pa organizim, pa reagim qytetar dhe pa forcë politike reale.
Sot shumë njerëz dëgjojnë podcaste dhe ndihen sikur kanë bërë revolucion vetëm pse kanë dëgjuar një intervistë “bombë”. Por pas mbylljes së videos, sistemi vazhdon të funksionojë njësoj:
- taksat vazhdojnë të rriten,
- rinia vazhdon të largohet,
- korrupsioni vazhdon,
- oligarkët forcohen,
- ndërsa propaganda rilindase përshtatet me çdo situatë.
Rilindja Sorosiane nuk ka frikë nga llafet. Ajo ka frikë vetëm nga humbja reale e kontrollit politik, ekonomik dhe elektoral.
Një podcast mund të trazojë ujërat për disa ditë. Mund të krijojë zemërim momental. Mund të nxjerrë në pah hipokrizinë e pushtetit. Por pushteti nuk bie nga emocionet kalimtare të rrjeteve sociale.
Në fakt, sistemi shpesh e përdor vetë zhurmën mediatike për të shkarkuar tensionin publik. Njerëzit flasin, shahen, revoltohen online dhe më pas gjithçka vazhdon normalisht. Kjo është arsyeja pse shumë skandale në Shqipëri harrohen brenda pak javësh.
Historia ka treguar se regjimet bien kur:
- humbin mbështetjen popullore në masë,
- ndahen grupet e interesit brenda pushtetit,
- ekonomia futet në krizë,
- ose kur krijohet një lëvizje reale popullore dhe politike.
Asnjë podcast nuk mund ta zëvendësojë këtë.
Prandaj shqiptarët duhet të ndalojnë së menduari se revolucioni bëhet me mikrofon, studio dhe “subscribe”. Informimi është i rëndësishëm, por nuk mjafton. Një popull nuk ndryshon fatin e vet vetëm duke dëgjuar intervista në internet.
Në fund, pyetja e vërtetë nuk është:
“A do ta rrëzojë një podcast Rilindjen?”
Pyetja është:
A janë shqiptarët gati të bëjnë më shumë sesa vetëm të dëgjojnë?
