Nga Olsi Yazeji
Në skenën politike shqiptare, një fenomen shqetësues ka marrë hov prej disa vitesh: influenca e MEK-ut, organizatës iraniane opozitare që vepron si rrjet mercenar dhe terrorist. Dokumentet dhe lidhjet e publikuara tregojnë se MEK-u ka arritur të rekrutojë dhe trushpelajë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, duke përdorur metoda që shkojnë nga premtimet ekonomike, deri te shantazhet politike.
Sipas analizës së veprimtarisë së MEK-ut që nga viti 2018, disa figura publike dhe politikanë, si Grida Duma dhe Edmond Spaho, janë bërë zëdhënës të sulmeve ndaj Iranit dhe Islamit, duke mbrojtur në mënyrë të hapur veprimtarinë e MEK-ut. Kjo nuk është rastësi. Aktiviteti i MEK-ut ka synuar direkt politikën shqiptare, duke përdorur ndikim financiar, premtime politike dhe deri tek shpëtimi nga burgu për individë të caktuar, përfshirë raste si ai i ish-presidentit Ilir Meta.

Ky manipulim ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme histerie në një pjesë të klasës politike të Tiranës kundër Iranit dhe Islamit, ndërkohë që mbështetësit e gjenocidit izraelit dhe mercenarët e MEK-ut gjejnë vend në qarqet e pushtetit. Por kjo mbetet një pakicë. Shumica e shqiptarëve, sidomos në rrjetet sociale, e shohin qartë këtë lidhje të rrezikshme dhe janë kundër politikave të MEK-ut dhe ndikimit izraelit në Shqipëri.

Ky fenomen nuk është vetëm një çështje e politikës, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sovranitetin e vendit. Ai tregon sesi interesat e jashtme mund të manipulojnë mendjet dhe moralin e elitës politike, duke përdorur mjetet më të ndyra: trushpelarje, korrupsion dhe shantazh.
Shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm: mbrojtja e identitetit kombëtar dhe neutraliteti ndaj konflikteve ndërkombëtare nuk janë luks, por nevojë jetike për të ruajtur lirinë dhe integritetin e vendit.
