Nga Artur Meçollari:
Shtetbërja është profesionalizëm dhe besnikëri ndaj vendit, jo ndaj udhëheqësit. Çdo gabim ka kosto, dhe mënyra si paguhet ai është ajo që përcakton fatin e kombit.
Pas një muaji luftë në Iran, Shtetet e Bashkuara ndodhen sot në një udhëkryq të rrezikshëm. Kjo nuk ndodh për mungesë kapacitetesh ushtarake – SHBA janë fuqia më e madhe ushtarake në botë, dhe Kina, vendi i dytë, zotëron vetëm 30% të kapaciteteve të tyre – por për shkak të mungesës së profesionalizmit në drejtimin ushtarak dhe politik të vendit.
Drejtimi politik i SHBA është i zgjedhur, por shpesh pa edukim të thellë mbi përdorimin e forcave të armatosura si instrument të sigurisë kombëtare. Drejtimi ushtarak, nga ana tjetër, duhet të mbështetet mbi meritokraci profesionale dhe të shërbejë si hallka këshillimore për politikën. Çdo gabim në nivel politik në përdorimin e fuqisë ushtarake duhet riparuar nga profesionalizmi i Forcave të Armatosura.
Gabimet strategjike sot e detyrojnë Amerikën që të mos mund të kthejë sukseset ushtarake në objektiva të qarta politike. Kur dështimi duket në horizont, historia na mëson se rruga e kaluar përsëritet. Kur Donald Trump erdhi në pushtet, ai largoi shumë nga ushtarakët profesionistë dhe i zëvendësoi me besnikë personalë. Profesionalisti ka kurajën të thotë të vërtetën shefit, sado e hidhur të jetë, ndërsa besniku i verbër shpesh hesht.
Në Iran, SHBA po paguajnë sot çmimin e këtyre vendimeve: largime dhe lirime të shumicës së drejtuesve me eksperiencë të Forcave të Armatosura. Çdo gabim ka kosto – morale, financiare, ose të sigurisë kombëtare – dhe ndonjëherë pasojat janë të pakthyeshme.
Disa nga të larguarit para kohe përfshijnë:
- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
- Komandantja e Forcave Detare
- Komandanti i Forcave Ajrore
- Komandanti i Komandës Jugore

Profesionalizmi nuk është luks; është detyrë ndaj vendit. Mungesa e tij sot po kthehet në kosto të drejtpërdrejta për SHBA në skenën ndërkombëtare.
