Nga Redaksia:
Një tjetër skandal i rëndë ka dalë në dritë lidhur me tenderin për ndërtimin e portit të ri të Durrësit, në zonën e Porto Romanos, disa ditë pasi firma “fituese” greke u tërhoq zyrtarisht nga gara në momentin që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të lidhte kontratën.
Sipas burimeve pranë Autoritetit Portual të Durrësit, kompania “Archirodon Construction” nuk ka paguar garancinë prej rreth 8 milionë euro, një detyrim kyç për sigurimin e kontratës. Nëse kjo konfirmohet, atëherë kemi të bëjmë jo me një tërheqje të zakonshme, por me një skemë ku një kompani pa kapacitet financiar real u shpall fituese në një projekt strategjik.

Dokumentet e tenderit parashikonin qartë detyrimin për depozitimin e garancisë financiare në llogaritë e Autoritetit Portual. Mosplotësimi i këtij kushti hedh dyshime të forta se kompania nuk kishte fondet e nevojshme dhe se përzgjedhja e saj mund të jetë bërë mbi baza të tjera, jo ekonomike.
Tenderi me vlerë rreth 400 milionë euro kishte hyrë në fazën finale, ndërsa kompani të tjera ndërkombëtare ishin skualifikuar gjatë procesit, duke lënë në garë vetëm kompaninë greke.
Ministri aktual i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se nuk kishte pasur oferta dhe se tërheqja erdhi për shkak të rritjes së kostove. Por ky version bie ndesh me faktet dhe dokumentet që tregojnë se procedura kishte një fitues të shpallur dhe një proces të avancuar.
Në të njëjtën kohë, burime të ndryshme flasin për presion ndërkombëtar dhe për dyshime mbi origjinën e fondeve që do të përdoreshin në këtë projekt, duke e kthyer çështjen nga një tender ekonomik në një problem të sigurisë kombëtare.
Në këtë klimë paqartësie, lind një pyetje thelbësore: a kemi të bëjmë me dizinformacion apo me një përpjekje për të mbuluar një aferë?
Dizinformacioni, që në “anglishten e vjetër të Vranishtit” quhet thjesht gënjeshtër, duket se ka shoqëruar këtë proces që nga fillimi.
Kujtojmë se dosja e dërguar me bujë në NATO nga kryeministri në korrik 2023, sot duket se ka mbetur pa asnjë reagim konkret. Sipas burimeve, ajo nuk ka marrë as vëmendjen minimale nga strukturat përkatëse.
Në një event në Universitetin Europian të Tiranës, analisti Artur Meçollari ka qenë prezent kur kryeministri i është drejtuar tre herë Komandantit Suprem të NATO-s, gjeneralit amerikan Christopher Cavoli, duke kërkuar një qëndrim. Por, sipas dëshmive, nuk ka pasur asnjë përgjigje publike nga ana e tij.
Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë në Mons, ku ndodhet selia ushtarake e NATO-s, dhe ka ngritur të njëjtën çështje me gjeneralin Cavoli. Megjithatë, përgjigjja nuk është bërë publike, çka shton edhe më shumë dyshimet mbi përmbajtjen reale të kësaj dosjeje.
Ndërkohë, kostoja për shtetin shqiptar vazhdon të rritet:
- Rreth 17 milionë euro për projektim
- Rreth 12 milionë euro për konsulencë
- Rreth 8 milionë euro për shpronësime
Miliona euro të shpenzuara pa një projekt të realizuar, në një vend që përballet me vështirësi ekonomike, por që vazhdon të jetë terren për afera të dyshimta.
Tërheqja e firmës greke nga Porto Romano nuk duket si një rast i izoluar, por si një hallkë në një zinxhir të gjatë vendimmarrjesh të errëta.
Nëse garancia nuk është paguar, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të pastër institucional. Nëse dosjet ndërkombëtare mbeten pa përgjigje, atëherë kemi të bëjmë me një tjetër problem: mungesën e besueshmërisë.
Sipas informacioneve, kryeministri Edi Rama ka treguar një shqetësim të veçantë ndaj ministres së mëparshme Belinda Balluku, për shkak të frikës nga korrupsioni galopant që mund të kishte ndodhur me firmën greke, e cila, sipas ekspertëve, kishte pretenduar të investonte pa pasur kapacitete financiare reale.
Dhe në fund, pyetja mbetet e njëjtë: kush do të mbajë përgjegjësi për këtë aferë që rëndon mbi xhepat e shqiptarëve dhe mbi sigurinë e vendit?
