Arsyet se përse tashmë ka kauzë për të rrëzuar përfundimisht Ramën nga pushteti dhe përse tani merr kuptim shprehja “hekuri rrihet sa është i nxehtë”…

Nga Andrea Bregu:

Që dihej se Rama nuk do ta lëshonte Belinda Ballukun, kjo ishte e sigurt dhe askush nuk kishte asnjë pritshmëri që palloshi i gjatë do mund të bënte ndonjë hap pas në qëllimet dhe objektivat e tij, duke menduar se po mban me çdo kusht pushtetin. Ka një problem në vetvete që nuk ka sesi ta mendojë Rama dhe ky është fakti që, duke hapur sa më shumë fronte lufte, nuk mund t’i bëjë ballë të gjithë ortekut që dita-ditës po bëhet gjithnjë e më i madh, por që për momentin është i kontrollueshëm për shkak se ende nuk ka plasur pakënaqësia e popullit me pushtetin.

Me popullin po, me ndërkombëtarët po, me SPAK-un po dhe me vetë klanet e brendshme të PS-së po, duke i kërcënuar që të mos i dalin kundër, ose përndryshe do t’i sakatojë — çfarë i mbetet më të hapë luftë? Rama mendon se mund të ketë garanci duke bërë koncesione Tel Avivit, por edhe ky i fundit ka halle për vete tanimë që është në luftë. Mendon se mund të krijojë skena me ngjarje të planifikuara nga vetë ai apo të tjerët që të ketë aleat Trump-in, por edhe ajo është thikë me dy presa, pasi të gjithë e njohin se çfarë bajge është. Të gjitha këto nxjerrin në përfundimin se është në hall të madh, ndoshta në më të madhin që kur ka marrë pushtetin — hallin jo të mbajtjes së pushtetit, por atë të ruajtjes së balancave me grupimet që e mbajnë në pushtet: ato të botës së mbidheshme dhe ato të botës së nëndheshme. Goditja që i ka ndodhur Belindës ka prishur shumë balanca, për shkak se Belinda ka njerëz të saj në të dyja botët dhe, kur goditet e para e njerëzve që janë gjithandej, ky kërkon të garantojë se marrëdhëniet dhe bizneset do të vazhdojnë si të ishte Belinda e paprekur.

Me popullin: Për momentin është ortek i kontrolluar për shkak se ende nuk ka një reagim që do mund t’i tregohej Ramës se sekondat e tij në pushtet tanimë kanë mbaruar. Ende një pjesë e madhe e popullit mendon se “fajin e ka Saliu” apo “fajin e ka Andrea”, pra gjejnë gjithmonë justifikimin për të mos dalë në shesh, qoftë edhe njëherë për t’u bërë 100 mijë njerëz që do të ishin të motivuar në atë ditë për t’i dhënë fund pushtetit të Ramës.

Me ndërkombëtarët: Ditën që Rama i dha urdhër PS-së për të votuar të gjithë në unanimitet në Parlament për të mbrojtur Belindën, por edhe veten e tij në krijimin e precedentit, filloi krisja e parë, ku për herë të parë në një situatë të paprecedentë ishte Rama ai që u tha në mënyrë të drejtpërdrejtë, me zë dhe figurë, duke u vendosur atyre vijën e kuqe që do të ishte pushteti i tij. Pasi ajo që u kërkua ishte precedent edhe për Ramën, ku pas Belindës, trokitësit do të ishin në derën e Ramës — në Surrel apo në Kryeministri, nuk ka rëndësi. Reagimi i ndërkombëtarëve ishte i vakët, edhe pse Ambasada e SHBA ende nuk ka reaguar në mënyrë direkte, por ka edhe një shkak tjetër që unë e kam shpjeguar ditën që ndodhën ngjarjet: fakti që ndërkombëtarët nuk kanë moral për të ndryshuar qëndrimin e tyre, pasi në 13 vite më shumë kanë reaguar për protestat e opozitës sesa për të dënuar Ramën në veprimet që ai ka bërë gjatë pushtetit të tij, duke mbyllur të dy sytë përballë asaj që ka bërë dhe duke i lënë dorë të lirë.

Sa për SPAK-un: Kjo është situata e parë që Rama rrëzon de facto dhe de jure SPAK-un në një procedurë parlamentare, që ligjërisht kërkohet nga një institucion i drejtësisë për të dhënë autorizim për arrestimin e një anëtari të parlamentit dhe heqjen e imunitetit të tij.

A është kjo arsyeja e arsyeve se përse tanimë SPAK duhet të jetë në luftë frontale me Ramën?
A është përfshirë Rama, bashkë me të vetët, në pengim të drejtësisë me veprimet e tij?
A i jep kjo gjë SPAK-ut arsyen për të pasur indiciet e tij për të hapur zyrtarisht hetim për Ramën për të gjitha veprat mbi të cilat akuzohet edhe Belinda, duke ngritur dyshime dhe indicie të forta në raport me përfshirjen e Ramës në veprat penale?
A është kjo një indicie e fortë që mund të vërtetojë më vonë faktin penal se Rama është realisht pas zhvillimit të procedurave ku del që Belinda ka kryer shkelje të ligjit?

Të gjitha këto pyetje dhe të tjera që mund të lindin rrugës do të marrin përgjigje vetëm në momentin kur SPAK, me veprimet e tij, do t’i japë mesazhin Ramës nëse është tërhequr apo nëse do të hapë luftën, pasi deri më tani edhe kjo gjë është në kuadrin e një orteku të kontrolluar.

Momenti aktual, si tregues i gjendjes aktuale, është fakti që për herë të parë Rama, deri dje i bënte veprimet nën rrogoz, por tanimë është duke i bërë publikisht dhe po thotë me zë dhe figurë që ka një vijë të kuqe dhe kjo vijë është pushteti i tij. Problemi qëndron tek fakti që Rama e di që i ka shpallur luftë popullit, por tanimë edhe SPAK-ut. Të tre palët e dinë që janë në luftë me njëra-tjetrën dhe vetëm Rama ka shpallur luftë në këto momente.

As populli, por edhe as SPAK-u, nuk i kanë shpallur luftë Ramës. Nëse populli dhe SPAK-u nuk i shpallin luftë Ramës tani, sa është “hekuri i nxehtë”, kur do të jetë momenti? Kur Rama të ketë një Belindë tjetër në krah, pasi të ketë marrë edhe mandatin e pestë?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *