VIDEO: Rrjolli në përplasje me policinë – Banorët kundër resortit të Bashkim Ulajt: Po na marrin tokën e të parëve …

Nga Redaksia:

Në Rrjoll të Velipojës, kjo e dielë u shndërrua sërish në një arenë përplasjesh mes banorëve dhe forcave të rendit, në një konflikt që po thellohet dita-ditës për shkak të ndërhyrjeve në zonë, të lidhura me projektin e një resorti turistik që i atribuohet biznesmenit Bashkim Ulaj.

Tensione në terren – një i lënduar, disa të shoqëruar

Sipas raportimeve nga vendngjarja, policia ka ndërhyrë e pajisur me helmeta, maska mbrojtëse dhe mburoja, ndërsa banorët kanë vijuar tubimin në kundërshtim të punimeve që po zhvillohen në zonë.

Gjatë përplasjeve është raportuar për një person të lënduar, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore. Po ashtu, sipas dëshmive të banorëve, ka pasur edhe shoqërime në polici.

Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momente tensioni mes uniformave blu dhe protestuesve. Në një nga videot dëgjohet një grua që thërret me zë të lartë:
“Hiqi duart, jam shtatzënë!”, ndërsa shtyhet mes turmës.

“Këto janë toka të trashëguara ndër breza”

Protestës i janë bashkuar burra, gra dhe të moshuar, të cilët pretendojnë se ndërtimi po zhvillohet mbi toka që i konsiderojnë prona të trashëguara ndër breza.

Një prej banoreve është shprehur mes lotësh:

“Kam burrin e paralizuar në shtëpi dhe dola të kërkoj të drejtën time. Jemi të varfër dhe vjen i pamunduri të na e marrë tokën.”

Banorët kërkojnë verifikim të plotë të dokumentacionit dhe ndërhyrje të institucioneve shtetërore për të garantuar transparencë mbi projektin, si dhe respektimin e të drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht.

Heshtje zyrtare, situatë e tensionuar

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Policia e Shtetit nuk ka dhënë një reagim të detajuar zyrtar mbi incidentet e raportuara.

Situata në Rrjoll mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë vijimin e rezistencës kundër çdo ndërhyrjeje që, sipas tyre, cenon pronën dhe dinjitetin e tyre.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *