SPAK i mbyll derën amnistisë fiskale për “Bankers Petroleum” – Hetimi penal rrëzon çdo pazar …

Nga Redaksia:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bllokuar përfundimisht mundësinë që kompania “Bankers Petroleum” të përfitojë nga skemat e amnistisë dhe paqes fiskale të miratuara nga Kuvendi në fund të vitit të kaluar.

Bëhet fjalë për dy projektligje të miratuara nga mazhoranca:
“Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë” dhe
“Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

Ligji i parë parashikon anulimin e plotë të borxheve tatimore që datojnë prej më shumë se një dekade, ndërsa ligji i dytë synon marrëveshje “paqësore” mes shtetit dhe subjekteve me detyrime të mëdha financiare. Në qendër të vëmendjes ka qenë “Bankers Petroleum”, kompania që prej vitesh renditet ndër debitorët më të mëdhenj të shtetit shqiptar.

120 milionë euro borxh dhe akuza për mashtrim fiskal-doganor

“Bankers Petroleum” ka detyrime doganore dhe një gjobë prej rreth 120 milionë eurosh, të vendosura për mashtrim fiskal dhe doganor. Për këtë arsye, kompania është përfolur gjerësisht si përfituesja potenciale më e madhe e skemës së amnistisë fiskale, duke ngritur dyshime serioze për një pazar të mundshëm në kurriz të interesit publik.

Por çdo skenar i tillë është rrëzuar nga SPAK.

SPAK: Procedim penal i regjistruar para hyrjes në fuqi të ligjit

Në kuadër të programit të transparencës, SPAK është pyetur zyrtarisht nëse ka regjistruar procedim penal ndaj subjektit juridik “Bankers Petroleum”, tatimpagues me NIPT L43128401L, duke qenë se ligji i paqes fiskale ndalon shprehimisht përfitimin e kompanive që janë nën hetim penal.

Përgjigjja e SPAK ka qenë e qartë dhe pa ekuivok:
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal ndaj “Bankers Petroleum” si person juridik, përpara se ligji të hynte në fuqi.

Sipas SPAK, kompania dyshohet për kryerjen e veprave penale:

  • “Fshehje e të ardhurave”
  • “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”

Këto vepra parashikohen nga nenet 180/3 dhe 144/a të Kodit Penal.

Ligji e skualifikon automatikisht “Bankers”

Ligji i paqes fiskale është i qartë: çdo subjekt që është nën hetim penal për vepra tatimore, mashtrim fiskal, evazion, fshehje të ardhurash apo pastrim parash, skualifikohet automatikisht nga përfitimi i amnistisë ose marrëveshjes fiskale.

Pikërisht për këto vepra SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj “Bankers Petroleum”, çka e përjashton përfundimisht kompaninë nga çdo marrëveshje me administratën tatimore.

Hetimet shtrihen jashtë Shqipërisë – Letër-porosi në Austri

Hetimet ndaj “Bankers” nuk janë ndalur vetëm brenda territorit shqiptar. SPAK ka zgjeruar hetimet edhe jashtë vendit, konkretisht në Austri, pasi ka dyshime se kompania ka përdorur selinë qendrore të “Raiffeisen Bank” për kryerjen e transfertave financiare të dyshimta.

Për këtë qëllim, SPAK ka dërguar letër-porosi autoriteteve austriake për të siguruar të dhëna mbi transaksionet bankare dhe rrjedhën e parave.

Nën hetim edhe zyrtarë të lartë shtetërorë

Paralelisht, SPAK po heton edhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë në këtë çështje. Përveç fshehjes së të ardhurave dhe mashtrimit me TVSH-në, hetimet janë shtrirë edhe për veprat penale:

  • Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
  • Shpërdorimi i detyrës
  • Moskryerja e detyrave nga organet tatimore
  • Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
  • Grupi i strukturuar kriminal
  • Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

Bastisje, masa sigurie dhe arrest shtëpie

Më 3 korrik, Prokuroria e Fierit bastisi zyrat e “Bankers Petroleum”. Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 masa sigurie, ndërsa dosja u transferua më pas në SPAK.

Gjykata ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për ish-CEO-n Leonidha Çobo, si dhe për CEO-n aktual kinez, Hu.

Çështja “Bankers Petroleum” po shndërrohet në një nga testet më të forta për seriozitetin e drejtësisë së re. Vendimi i SPAK për të bllokuar çdo formë amnistie fiskale tregon se, të paktën në këtë rast, ligji ka prevalur mbi pazaret politike dhe ekonomike.

Mbetet për t’u parë nëse hetimet do të shkojnë deri në fund dhe nëse përgjegjësia penale do të prekë jo vetëm kompaninë, por edhe zyrtarët që për vite me radhë kanë mbyllur sytë përballë një prej skandaleve më të mëdha fiskale në historinë e Shqipërisë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *