Pretendimi i Edi Ramës se është ftuar personalisht nga Presidenti amerikan Donald Trump për “Bordin e Paqes” në Gaza mbetet pa konfirmim nga SHBA …

Tiranë / Washington – Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht në rrjetet sociale se është ftuar personalisht nga Presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e një strukture të quajtur “Bordi i Paqes”, e cila sipas tij do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës.

Në postimin e tij, Rama pretendon se Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të kësaj organizate dhe se kjo përbën një “nder të jashtëzakonshëm” për vendin dhe për të personalisht.

Por deri në këtë moment, nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar nga:

  • Shtëpia e Bardhë
  • Ambasada Amerikane në Tiranë
  • Departamenti Amerikan i Shtetit

që të vërtetojë ftesën e Edi Ramës apo përfshirjen e Shqipërisë si “anëtar themelues” në një bord të tillë.

Çfarë është e konfirmuar zyrtarisht?

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se administrata Trump ka ideuar një mekanizëm ndërkombëtar për fazën pas-konfliktit në Gaza, i cili synon stabilizimin, tranzicionin dhe rindërtimin e territorit. Ky mekanizëm përfshin figura ndërkombëtare dhe përfaqësues të lartë politikë.

Megjithatë, në asnjë njoftim zyrtar nuk përmendet emri i Edi Ramës, Shqipëria, apo një rol drejtues për qeverinë shqiptare.

Deklaratë personale apo fakt diplomatik?

Burimi i vetëm i këtij pretendimi mbetet postimi personal i Kryeministrit Rama në rrjetet sociale. Në mungesë të një reagimi zyrtar nga autoritetet amerikane, deklarata:

  • nuk mund të konsiderohet konfirmim diplomatik
  • nuk përbën dokument apo njoftim institucional
  • mbetet në nivel pretendimi politik individual

Pyetjet që mbeten pa përgjigje:

  • Pse nuk ka asnjë njoftim nga Shtëpia e Bardhë për këtë “ftesë personale”?
  • Pse Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ka reaguar?
  • A është ky një rol real institucional apo një interpretim politik i Kryeministrit?

Përpjekja për ta shitur një ftesë kolektive, protokollare, në një strukturë ad hoc si ‘certifikatë ndërkombëtare besimi’ është juridikisht e pavlefshme.

Por këtu dyshimet shtohen se deri ku mund të arrijë kryeministri për të siguruar me çdo kusht kohën. Në tryezën e Gazës janë thirrur shumë vende, por duke parë germat kapitale të kryeministrit shqiptar lind dyshimi nëse është ofruar Rama vetë jo për paqe, por për atë që ka bërë zakonisht për të legjitimuar veten politikisht.

Sepse ky është modeli me të cilin na ka mësuar, kur nuk ka vend në tryezë, nxjerr hartën. Kur s’ka rol diplomatik, nxjerr lobuesit. Kur s’ka ftesë, ofron truall, kampe refugjatěsh.

Shqipëria nga subjekt politik, po shndërrohet në dyqan ofertash:

Nuk dimë nëse është vetofruar për të strehuar palestinezët në Shqipërinë e shpopulluar, siç ka bërë më herët, por dimë tjetrën, ftesa është procedurë e protokoll me germa normale për një nismë paqeje, ndërsa reagimi me germa kapitale mbetet shenja e pangatërrueshme e frikës për fatin penal.

Derisa të ketë një deklaratë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pretendimi i Edi Ramës për përfshirjen në “Bordin e Paqes” për Gazën nuk mund të konsiderohet lajm i konfirmuar, por vetëm një deklaratë e njëanshme e Kryeministrit shqiptar.

PatriotikMedia.al do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe do të raportojë vetëm mbi bazën e fakteve dhe konfirmimeve zyrtare.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *