Nga Artur Meçollari:
Iku dhe Shkolla Tregëtare, një simbol i arsimit kombëtar dhe frymëzues për breza të tërë shqiptarësh. Me zgjedhjen e Kryetares së re të Bashkisë Vlorë, duket se historia dhe tradita e 100-vjeçarit të arsimit profesional po zhduken për t’i hapur rrugë interesave të oligarkëve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë lidhje me trashëgiminë kombëtare.
PatriotikMedia.al sjell për lexuesit një panoramë të qartë të asaj që po ndodh me Shkollën Tregëtare të Vlorës.

Me emërimin e Kryetares së re të Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka nisur procesi i zhdukjes së Shkollës Tregëtare, një institucion i themeluar nga Kryeministri Fan Noli në nëntor 1924 dhe që për një shekull ka formuar figura të shquara të arsimit dhe jetës kombëtare.
Më 8 nëntor 2024, ministri Blendi Gonxhja dhe Kryetarja e Bashkisë nisën punën për ndërtimin e kampusit ku shkolla do të transferohet tek Shkolla Industriale në Ujë të Ftohtë. Ky vendim nuk është thjesht një çështje infrastrukture, por fshirje e historisë dhe identitetit të arsimit profesional shqiptar.

Vendimi për zhvendosjen e shkollës pas një shekulli funksionimi në ambientet origjinale duket si pjesë e strategjisë së qeverisë dhe oligarkëve për të shndërruar trashëgiminë kombëtare në interes privat.
