Vendim skandaloz i Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që prokuroria kishte indicie të forta për origjinën kriminale të pasurive
Nga Redaksia:
Gjykata e Tiranës ka vendosur të mos pranojë kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e rreth 20 pasurive me vlerë të përllogaritur rreth 50 milionë euro – shoqëri tregtare, apartamente, vila dhe njësi biznesi – për të cilat hetimet kishin ngritur dyshime serioze se rrjedhin nga aktivitet kriminal.
Në qendër të çështjes ndodhet Elman Abule, i afërt me Erion Veliajn, i dënuar më parë në Belgjikë për vjedhje të dhunshme dhe krijim bande. Autoritetet shqiptare janë njoftuar nga Interpol më 12 shtator 2023 për dënimin e tij më 17 janar 2007 nga Gjykata e Antverpit, ku Abule ishte dënuar me 30 muaj burg.
Në dosje përmendet gjithashtu Kristian Boçi, ish-ortak i Abules në kompanitë “Rametal” dhe “Ferro Chrome Holding”, i arrestuar në Itali në vitin 2011 dhe i lidhur me persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar të narkotikëve. Mes të përfshirëve janë edhe Vladimir Avrami dhe katër shtetas të tjerë të lidhur me aktivitetet kriminale të hetuara.
Pak ditë më parë, gjyqtari Altin Abdiu, i rikthyer në detyrë në fillim të qershorit 2025 pas një vendimi të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, refuzoi sekuestrimin e pasurive, duke liruar të gjitha pronat e subjekteve të hetuara.
Kjo çështje ka një histori të ndërlikuar procedurale: në qershor 2024, e njëjta gjykatë, por me trup tjetër gjykues, kishte marrë vendime të ndryshme për të njëjtat pasuri, duke krijuar dilema të mëdha mbi drejtësinë dhe transparencën në Shqipëri.
Vendimi i fundit ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin e sistemit gjyqësor për të ndaluar pastrimin e parave dhe mbrojtjen e lidhjeve kriminale me politika të nivelit të lartë.
