Nga Redaksia:
Rilindasit sot nuk janë më një trup politik, por një tufë e frikësuar që po përgatitet të hajë kokat e njëri-tjetrit. Rrugë të mesme nuk ka. Pas një dekade skandalesh, grabitjesh me miliarda lekë dhe përdhosjes së interesit publik, pushteti i Rilindjes ka hyrë në fazën e fundit: fazën e përçarjes dhe vetëshkatërrimit.
Historia na e ka mësuar qartë: kur pushteti kalbet, ai fillon të hajë veten. Shqiptarët, të shtypur nga varfëria dhe mbijetesa, shpesh janë detyruar të shesin interesin kombëtar për interesin personal. Jo nga dëshira, por nga fukarallëku. Kështu kanë rënë regjime, kështu janë rrëzuar sundimtarë, dhe kështu do të braktiset edhe Edi Rama – jo nga kundërshtarët e tij, por nga njerëzit e vet.
Kjo përpëlitje e fundit e Ramës, kjo zvarritje si zvarranik politik, nuk prodhon më as shpresë dhe as narrativë. Ajo jep vetëm një mesazh të qartë: faliment politik. Kur pushteti mbahet vetëm me propagandë, frikë dhe shantazh, fundi është i pashmangshëm.
Sot Shqipëria nuk vuan nga mungesa e njerëzve. Shqipëria ka bij e bija, ka patriotë, brenda vendit dhe në Diasporë, që e duan këtë tokë më shumë se çdo parti, më shumë se çdo logo politike. Ata nuk kanë nevojë për karta partie. Pasaporta e tyre është integriteti.
Vendit i duhet urgjentisht një ofertë ndryshe. Një proces çrrënjosës, asgjësues i moçalit politik që ka mbërthyer shtetin. Një proces antimafia, ku dhjetëra e qindra persona me pushtet, pa dallim poste apo ngjyre politike, të dalin përpara drejtësisë. Ky proces ka nisur. Dhe nuk ndalet.
Brenda asaj strukture të kalbur, ata do të “gatuajnë” kokat e njëri-tjetrit. Por një gjë është e sigurt: nuk do të gatuhet koka e Shqipërisë. Shqipëria është më e madhe se Rilindja, më e vjetër se çdo pushtet dhe më e fortë se çdo regjim i përkohshëm.
Koha e mashtrimit po mbaron. Koha e llogaridhënies ka ardhur. Dhe historia, si gjithmonë, nuk fal.
