Kush është kryeministër i Shqipërisë sot: Belinda apo Rama?

Nga Redi Minga:

Nëse ndjekim zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Shqipëri, një pyetje po shtrohet gjithnjë e më shpesh në opinionin publik: a është ende Edi Rama kryeministri real i vendit, apo pushteti faktik ka kaluar në duart e Belinda Ballukut?

Kryeministri në detyrë Edi Rama, dikur i njohur për arrogancën, ironinë dhe llafollogjinë e tij publike, sot shfaqet i tensionuar, i pasigurt dhe shpesh në konflikt të hapur me SPAK-un. Shkaku kryesor i këtij përplasjeje nuk është as ideologjik dhe as institucional, por frika e hapur për aferat korruptive që rëndojnë mbi zv/kryeministren Belinda Balluku – figurën më të fuqishme reale në qeverinë “Rilindja”.

Nuk është rastësi që Rama zgjodhi ta çojë çështjen e Ballukut drejt Gjykatës Kushtetuese. Kjo lëvizje politike nuk ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës, por me mbrojtjen e një hallke kyçe të pushtetit të tij, duke u mbështetur te një institucion i mbushur me njerëz të lidhur me rrjetet sorosiane dhe interesat e tyre të vjetra në Shqipëri.

Frika e Ramës për një arrestim të mundshëm të Belinda Ballukut i ka prishur plotësisht ekuilibrat në qeveri. Sot Rama sillet si një kryeministër “në detyrë”, ndërsa vendimet reale, projektet strategjike, fondet publike dhe sektorët kyç të ekonomisë kontrollohen nga Balluku.

Në praktikë, Shqipëria nuk drejtohet më nga Edi Rama, por nga një strukturë e errët pushteti ku Belinda Balluku ka rolin dominant. Rama flet, Balluku vendos. Rama sulmon SPAK-un, Balluku mbron interesat e veta. Rama bën propagandë, Balluku kontrollon levat e parasë dhe energjisë.

Historia e korrupsionit galopant në kupolën e qeverisë “Rilindja” i ngjan gjithnjë e më shumë një seriali turk të tipit “Sulejmani i Madhërishëm”, ku intriga, eliminimi i kundërshtarëve dhe lufta për pushtet zhvillohen brenda pallatit. Me një ndryshim thelbësor: Belinda Balluku nuk është gruaja e “Sulltanit” Rama, por vartësja që sot sillet si shefe e tij.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë qeverisjeje: sepse vendi drejtohet nga frika, jo nga ligji; nga pazaret, jo nga transparenca; nga mbrojtja e individëve, jo nga interesi kombëtar.

Dhe pyetja mbetet e hapur për çdo shqiptar të ndërgjegjshëm:
kush është realisht kryeministër i Shqipërisë sot – Bela apo Rama?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *