ANALIZA: Europa e braktisur – Jetimja e historisë mes Moskës dhe Uashingtonit …

Nga Redi Minga:

Bota po hyn në një epokë të re, ku miqësitë historike janë shembur dhe armiqësitë e djeshme po shndërrohen në aleanca pragmatike. Në këtë rend të ri botëror, Europa – dikur kolonë e qytetërimit perëndimor – po mbetet gjithnjë e më e vetmuar, e dobët dhe pa busull.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara ndjekin interesat e tyre strategjike dhe Rusia rikthehet si fuqi e frikshme globale, kontinenti europian po trajtohet si një zonë tamponi: pa vullnet politik, pa ushtri të bashkuar, pa sovranitet real.

Rusia – një rikthim i heshtur, por i pamëshirshëm

Nën drejtimin e Vladimir Putinit, Rusia ka treguar se nuk njeh më komplekse. Ajo ka sfiduar Perëndimin hapur, ka ndryshuar kufij me forcë dhe ka rikthyer logjikën e fuqisë në një botë që pretendonte të jetonte mbi “ligjin ndërkombëtar”.

Nga Kaukazi në Krime, nga Donbasi në Lindjen e Mesme, Rusia ka treguar se kush nuk ka fuqi reale – nuk ka as fjalë në tryezë. Europa protestoi… por heshti. Sanksionoi… por u var nga gazi rus. Foli për parime… por pranoi faktin e kryer.

SHBA – Perandoria që nuk vdes, vetëm ndryshon lojë

Amerika nuk braktisi Europën nga dobësia, por nga llogaria. Për Uashingtonin, aleanca nuk është dashuri – është interes. Kur Europa ishte e fortë, ishte partnere. Sot, e dobët dhe e fragmentuar, është barrë.

SHBA nuk ka më nevojë për një Europë të fortë; përkundrazi, një Europë e varur është më e kontrollueshme. Dhe në këtë lojë të re globale, prioriteti amerikan nuk është më mbrojtja e kontinentit të vjetër, por mbijetesa e rendit të saj përballë fuqive që rriten.

Europa – kontinenti që u vetëvra politikisht

Problemi i Europës nuk janë Rusia apo SHBA. Problemi i saj është vetja.

E zhveshur nga identiteti, e mbushur me burokraci pa shpirt, e helmuar nga ideologji që shkatërrojnë themelet e saj historike, Europa hoqi dorë nga forca për hir të iluzionit të paqes.

Sot ajo nuk ka ushtri të përbashkët, nuk ka politikë të jashtme të unifikuar, nuk ka guxim, nuk ka lidership. Ka vetëm frikë.

Ndërsa Rusia ndërton fuqi dhe Amerika ruan dominimin, Europa merret me censurë, propagandë, ideologji pa rrënjë dhe kriza identiteti.

Një botë me tre pole – por vetëm dy lojtarë realë

Formalisht ekzistojnë tre blloqe. Realisht, vetëm dy fuqitë vendosin ritmin: Moska dhe Uashingtoni.
Europa sot nuk është fuqi – është terren.
Nuk është aktor – është fushë loje.

Fundi i një miti: “Perëndimi i bashkuar”

Aleanca tradicionale SHBA–Europë nuk është më ajo që ishte. Besimi është thyer, interesat janë larguar dhe prioritetet janë zhvendosur. Europa sot ndihet më e braktisur se kurrë më parë – dhe frika më e madhe është kjo:

Askush nuk do ta mbrojë nëse bie.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *