ANALIZA – 2034 Anatomia e një dorëzimi të heshtur kombëtar …

Nëse edhe pas këtij shkrimi nuk më shpallin non grata, atëherë diçka nuk po e bëj siç duhet.

Një realitet që ka nisur sot, jo në 2034

Nga Endrit Reka:

Udhëtimi drejt vitit 2034 nuk kërkon fantashkencë. Mjafton të shohim të tashmen.
Nëse më 16 dhjetor Shqipëria nënshkruan marrëveshjen strategjike me Greqinë – përfshirë edhe kufirin detar – rruga politike e vendosur sot do të prodhojë një transformim historik: Shqipëria nga shtet sovran në një territor të kontrolluar përmes konceptit të ri të “realizmit politik”, që në thelb do të thotë dorëzim i heshtur nën presion dhe tradhti të brendshme.

Imagjinoni verën e vitit 2034 duke udhëtuar drejt jugut: zona që quhet “minoritare” është shndërruar në një hapësirë të integruar de facto me strukturat greke. Tabelat janë dygjuhëshe, por greqishtja dominon. Telefoni të kalon automatikisht në operator grek. Mediat më të ndjekura janë greke. Arkitektura publike dhe fetare është greke. Shqipja reduktohet çdo vit.
Kjo nuk është fantazi – është formalizimi i asaj që sot ekziston në hije.

Varësia ekonomike – strategjia e copëtimit të ngadaltë

Rivizatimi i hartës detare pas marrëveshjes i ka zhvendosur burimet nënujore të Shqipërisë në juridiksionin grek. Nafta, gazi, energjia – jashtë kontrollit të Tiranës.

Peshkatarët shqiptarë ngarkohen me tatime e devijime rruge detare, deri sa aktiviteti të mos ketë më leverdi. Shumë mbyllin bizneset. Të tjerë emigrojnë. Të mbeturit punojnë për korporata greke me kontrata sezonale.

Turizmi bie në vartësi të projekteve industriale greke – shpime, tubacione, ndotje nga kroçerat që askush në Tiranë nuk ka fuqi juridike t’i ndalojë.

Ky nuk është bashkëpunim. Është kolonizim ekonomik i butë.

Iluzioni i stabilitetit – marrëveshja që përkeqëson marrëdhëniet

Propaganda se marrëveshja garanton stabilitet është mashtrim.

Nga viti 2024 në 2034, marrëdhëniet Shqipëri–Greqi përkeqësohen:

1- Greqia mban në fuqi Ligjin e Luftës.

2- Rrit akuzat për shkelje të të drejtave të minoritetit.

3- Pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE duke vendosur kushte të reja çdo vit.

4- E portretizon Shqipërinë si të pabesueshme brenda NATO-s.

Precedenti i vitit 2009 mbetet themelor: Greqia kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes për detin për të mbështetur Shqipërinë në MSA dhe NATO. Sapo mori çfarë donte, opozita shqiptare e hodhi marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese, e cila – sipas ambasadorit amerikan John Withers (Wikileaks) – e kishte marrë paraprakisht dakordësinë e Kryeministrit.

Që prej asaj dite Athina vendosi rregullin:
“Asnjë hap përpara, derisa Shqipëria të hedhë 5 hapa të pakthyeshëm.”

Inxhinieria demografike – minoriteti si arma kryesore

Në 2034 “problemi i minoritetit grek” nuk është më debat, por mekanizëm presioni.

Krijohen incidente të vogla, tensione të vogla të qëllimshme, provokime të vazhdueshme – të gjitha për të krijuar pamjen se minoriteti është i kërcënuar.

Strukturat lokale – të influencuara nga Athina – nxisin ide të “vetadministrimit”, të mbështetura fuqishëm nga mediat greke dhe lobet jashtë vendit.

Testi i parë u dha në Himarë më 2024. Rezultati ishte i pritshëm.

Kaosi i kontrolluar – goditja ndaj harmonisë fetare shqiptare

Grupet e radikalizuara – të importuara dhe të sponsorizuara nga jashtë – përdoren për të krijuar tension fetar.
Çdo reagim patriotik etiketohet si “nacionalizëm ekstrem”, duke i dhënë Greqisë justifikimin e artë: ndërhyrjen për mbrojtjen e minoritetit.

Krijohet presion psikologjik i vazhdueshëm ndaj popullsisë vendore, derisa dorëzimi të duket “rrugë për paqe”.

Varfëria e qëllimshme – paraliza sociale si armë

Në zonat minoritare investimet publike ngrihen e bllokohen me qëllim:

  • rrugë pa u mbaruar,
  • shkolla pa kushte,
  • tensione sezonale ndaj pronave,
  • izolim ekonomik.

Narrativa ndërkombëtare ndërtohet lehtë:
Tirana – e paaftë.
Athina – e moderuar dhe e arsyeshme.

Lufta ligjore – precedenti detar hap precedentin tokësor

Greqia ruan Ligjin e Luftës për një arsye: është mekanizëm juridik për të bllokuar rikthimin e popullsisë çame dhe për të siguruar pronat e marra në spastrimin etnik.

Njëkohësisht, Athina nuk ka ratifikuar kufirin tokësor me Shqipërinë.
Ky është instrumenti që pritet të aktivizohet pas vitit 2034.

Pasi precedentit detar i jepet vulë ndërkombëtare, hapet rruga për referendume lokale të kontrolluara në zonat minoritare – nën presion ekonomik, psikologjik dhe propagandistik – me rezultate të paracaktuara.

Jo me luftë, por me votë të manipuluar.
Jo aneksim, por “vendim lokal demokratik”.

Kushti final i Athinës për bashkimin Shqipëri–Kosovë

Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë po afrohen drejt një momenti historik për bashkim kombëtar.

Por Athina ka një kusht të pandryshueshëm:

Çdo bashkim Shqipëri–Kosovë duhet të ecë paralelisht me bashkimin e zonave minoritare me Greqinë.

Kjo e kthen aspiratën kombëtare nga akt sovraniteti në pazar territorial – të justifikuar me retorikën e integrimit evropian.

Paralelizma është formula e re.
Kjo është dera që pret të hapet nëse Shqipëria nuk zgjohet.

2034 – Viti i paralajmërimit kombëtar

Ky skenar nuk është profeci.

Është analizë e ftohtë mbi faktet, precedentin historik dhe mekanizmat e presionit modern ndërkombëtar.

  • 2034 mund të jetë:
  • viti kur kuptojmë me vonesë çfarë kemi humbur,
    ose
  • viti kur ndryshojmë kursin përpara se të jetë tepër vonë.

Ajo që është e sigurt është se askush nuk do të thotë “nuk e dija”.
Dhe shqiptarët nuk do të mjaftohen më duke vënë gishtin në kokë – por në ata që na e çuan tek ky prag.

Deklaratë sqaruese: Qëndrimet dhe analiza e mësipërme kanë karakter investigativ, analitik dhe parashikues, me bazë në proceset aktuale politike, juridike dhe diplomatike në rajon.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *