Nga Vladimir Prifti:
Në folklorin popullor, tregimet e vjetra kanë shërbyer gjithmonë si mësime morale për shoqëritë. Por sot, në Shqipërinë e viteve të tranzicionit të pafund, duket se një prej përrallave më të famshme – ajo e Ali Babait dhe 40 Hajdutëve – nuk është më një histori imagjinare, por një pasqyrë e frikshme e realitetit që përjeton populli shqiptar. Në vend të një fshatari të varfër që zbulon rastësisht një thesar, kemi një “Ali Baba modern” i cili, bashkë me 40 hajdutë të tij politikë e ekonomikë, ka zbrazur thesarin e një kombi të tërë. Kjo është përralla tragjike që po jetojmë sot – jo për t’u lexuar fëmijëve, por si alarm për çdo shqiptar që e do atdheun.
ALI BABAI DHE DYZET HAJDUTËT… VERSIONI SHQIPTAR I 2025-ËS
Të gjithë e kemi dëgjuar apo lexuar përrallën klasike të Ali Babait me 40 hajdutët. Në atë tregim, Ali Babai ishte një fshatar i varfër që rastësisht gjeti thesarin e hajdutëve. Por në Shqipërinë e sotme, tregimi është përmbysur me kokë poshtë.
Ali Babai ynë aktual nuk është i varfër, e as i pafajshëm. Përkundrazi: ai, bashkë me 40 hajdutët e tij të pushtetit, grabisin pa mëshirë pasuritë e një populli të tërë. Dhe jo vetëm kaq. Ky “Ali Baba modern” është “martuar” me një Diellë virtuale, e cila ka pjellë 83 këlyshë – një metaforë ulëritëse për ushtrinë e shpërndarë të militantëve, zyrtarëve, bordistëve e të emëruarve që ruajnë pasurinë dhe pushtetin e tij.
Diella, ashtu si buka që shfrytëzohet, u ka vënë këlyshëve të saj nga dy shenja dalluese: një të kuqe dhe një jeshile, që të mos ngatërrohen. Kur vjen dikush nga “shtëpia” t’u hedhë për të ngrënë, ata ngrenë shenjën jeshile. Por kur afrohet dikush i huaj, ata fillojnë të ulërasin, duke nxjerrë shenjën e kuqe. Simbol i pastër i klientelizmit dhe shërbimit partiak.
Bucja (qenia tjetër e oborrit) tentoi të fusë në valle edhe këlyshë të huaj. Madje shtriu këmbët deri në Amerikë e Europë. Por rojat e atyre vendeve nuk janë si të tonat – e kapën dhe e futën aty ku e ka vendin: në kafazin e qenve të kapur për shkelje.
Sot, fati i Ali Babait është vënë seriozisht në diskutim, sepse disa nga qenët bashkëpunëtorë tashmë janë kapur. Dhe ata, për të shpëtuar veten, kanë filluar të tregojnë të vërtetën.
Ali Babai madje u hodh edhe kundër atyre që ruajnë ligjshmërinë, vetëm e vetëm për të shpëtuar një prej bashkë-hajdutëve të tij. Por më e rënda është se ai, për bamirësitë që kërkon të bëjë me miqtë e tij të huaj, nuk dhuron nga pasuria e vet, por nga ajo që ua merr shqiptarëve – pasuri që i quan “pa pronar”: portin e Durrësit, tokat e bregdetit të Jonit, zonat naftëmbajtëse të detit, trojet në Lezhë, dhe shumë të tjera.
Dhe pyetja që ngrihet sot është:
Çfarë do të bëjë akoma ky Ali Baba modern me thesarin e Shqipërisë?
Dhe sa gjatë do të lejojë populli që kjo përrallë e zezë të vazhdojë?
