Greqia po hyn në një fazë shpërthimi shoqëror që gjithnjë e më shumë ngjan me kapitullim politik. Protesta e fermerëve grekë, e cila paralizoi autostradën Kakavijë–Janinë dhe bllokoi për orë të tëra qarkullimin, është vetëm maja e ajsbergut të revoltës që po gërryen themelet e qeverisë së Athinës. Në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera greke, tensioni është ndezur dhe pritet të shpërthejë në çdo moment me protesta të reja, edhe më të mëdha dhe më të vendosura.
Ballkani po zien. Në gjithë rajonin, njerëzit kanë vite të tëra që po përballen me të njëjtat plagë: keq-qeverisje, korrupsion, abuzime me pushtetin dhe një elitë politike e shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Ajo që ndodhi në Greqi me fermerët është thjesht reflektimi më i qartë i një populli që nuk pranon më të shtypet.
Fermerët grekë, të mbështetur nga sindikata të pavarura dhe të organizuara, treguan se një popull me dinjitet nuk dorëzohet. Fermerët nuk kërkonin luks, nuk kërkonin privilegje – kërkonin të jetojnë me djersën e tyre, pa u vjedhur dhe pa u tallur nga qeveritarët që kanë zhytur vendin në skandale të njëpasnjëshme. Qeveria greke, që prej muajsh përpiqet të kontrollojë tensionet me propaganda dhe premtime boshe, por po e humbet përfundimisht terrenin.
Vendosmëria e fermerëve dhe e shumë sektorëve të tjerë ekonomikë që pritet ti bashkohen protestave tregon qartë një gjë: qeveria aktuale nuk e kontrollon dot më situatën.
Ajo po lëkundet çdo ditë e më shumë dhe rruga drejt kapitullimit po bëhet e pashmangshme.
Ajo që ndodhi në Greqi është paralajmërimi i parë.
