Për çfarë protestoi Berisha: Ligji për orientimin seksual dhe identitetin gjinor e miratoi vetë kur ishte në pushtet …

Nga Redaksia:

Prej 34 vitesh politika shqiptare ka luajtur lojën e dyfishtë ndaj popullit: ditën thërret “komb, familje, traditë”, ndërsa natën firmos ligje që godasin pikërisisht këto themele. Dhe shembulli më eklatant është ai i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili dje u shfaq në një protestë për “mbrojtjen e familjes shqiptare” – ndërkohë që ka qenë vetë njeriu nën qeverinë e të cilit u futën në Kodin Penal konceptet e orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Protesta të tilla përpiqen t’i paraqesin shqiptarëve një realitet të rremë, sikur sot politika po bën ndryshime në dëm të familjes, ndërkohë që të njëjtat ndryshime kanë ndodhur më herët, në kohën kur Berisha ishte në pushtet dhe firmoste pa asnjë hezitim ndryshimet e imponuara nga agjendat e huaja.

Ligjet flasin vetë – Berisha i ka miratuar të gjitha

Në vitin 2013, me ligjin nr. 144, dy nene të Kodit Penal u ndryshuan thellësisht, duke futur qartë terminologjinë e “orientimit seksual” dhe “identitetit gjinor”.

Neni 253 – Shkelja e barazisë së shtetasve

Ky nen, i shtuar pikërisht në kohën e Berishës, fut për herë të parë në legjislacionin penal:

  • orientimin seksual,
  • identitetin gjinor.

Pra, shteti shqiptar, nën firmën e qeverisë së Berishës, i ka futur këto koncepte si kategori të mbrojtura me ligj. Dhe sot ai pretendon se po del në protestë për të mbrojtur familjen që vetë e ka minuar me legjislacion.

Neni 265 – Nxitja e urrejtjes ose grindjeve

Edhe ky nen u ndryshua në të njëjtën ditë, më 2 maj 2013. Aty u fut sërish nocioni i “orientimit seksual” si kategori e mbrojtur penalisht.

Atëherë, për çfarë proteston Berisha? Për ligjet e veta?

Mashtrimi politik që u servir shqiptarëve

Shqiptarët kanë të drejtë të mbrojnë familjen, traditën dhe identitetin kombëtar. Por tradhtia më e madhe është kur politika përdor popullin si fasadë, ndërsa pas shpine ka firmosur ligje që sot i quan “rrezik për familjen”.

Sot, kur agjenda globaliste po përpiqet të fshijë kufijtë mes gjinive, të ç’bëjë rolin e nënës dhe të atit, të relativizojë identitetin biologjik – Berisha kërkon të shfaqet si shpëtimtar. Por faktet janë kokëforta: ai ka qenë një nga nismëtarët kryesorë të futurjes së këtij diskursi në ligjet e Shqipërisë.

Populli ynë nuk ka nevojë për politikanë që protestojnë kundër veprave të veta. Mbrojtja e familjes kërkon burrëri, jo teatër; kërkon qëndrueshmëri, jo siklete elektorale.

Shqipëria ka nevojë për një politikë që i rikthehet themeleve tradicionale, që ka guxim të përballet me presionet e huaja, dhe që nuk i përdor shqiptarët si vegël propagande.

E vërteta është e thjeshtë: familja shqiptare është nën sulm prej dekadash – dhe Berisha ka qenë pjesë e këtij sulmi me ligjet që ka miratuar.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *