Nga Redaksia:
Gjermania po përballet me një stuhi të re politike dhe shoqërore pas deklaratës së papërgjegjshme të Kancelarit Friedrich Merz, i cili u shpreh se “pamja e Gjermanisë ka ndryshuar” për shkak të numrit të madh të të huajve. Kjo fjali ka mjaftuar për të ndezur zemërimin e mijëra qytetarëve, kryesisht gra dhe vajza gjermane, të cilat kanë dalë në rrugë duke brohoritur:
“Ne jemi vajzat – Gjermania është shtëpia jonë për të gjithë!”
Deklarata që ndezi zjarrin politik:
Në një intervistë televizive, Merz tha se Gjermania ka ndryshuar pamje dhe shtoi me ironi:
“Nëse nuk e dini për çfarë flas, pyesni vajzat tuaja në shtëpi.”
Kjo fjali u interpretua gjerësisht si një nënkuptim i lidhjes mes sigurisë së grave gjermane dhe pranisë së migrantëve.
Pas reagimeve të forta, Kancelari u detyrua të dalë publikisht dhe të “sqarojë” deklaratën e tij, duke thënë se migrantët janë të domosdoshëm për Gjermaninë, pasi “janë pjesë e shoqërisë, pavarësisht ngjyrës apo origjinës”.
Por dëmi ishte bërë.
Protesta, peticione dhe reagime zinxhir
Në Berlin, Hamburg, Köln e Munih, mijëra gra dolën në protesta me pankarta ku shkruhej:
“Ne nuk kemi frikë nga emigrantët – kemi frikë nga paragjykimet!”
Vetëm brenda 24 orëve, më shumë se 120.000 njerëz nënshkruan një peticion që kërkon tërheqjen publike të deklaratës së Merz dhe kërkim faljeje ndaj komuniteteve të huaja.
Protestueset theksojnë se “problemi i dhunës ndaj grave nuk ka kombësi, por rrënjë strukturore në shoqërinë gjermane”.
Një Gjermani që po përçahet mes paragjykimeve
Ndërsa CDU-ja përpiqet të minimizojë dëmin politik, analistët paralajmërojnë se kjo deklaratë ka thelluar ndarjet brenda shoqërisë gjermane.
Në vend që të flasë për integrim e bashkëjetesë, Merz hapi plagët e vjetra të racizmit institucional dhe i dha oksigjen ekstremistëve që duan ndarje e përçarje.
Një ironi e hidhur: Gjermania që ndërton ura jashtë, i shemb brenda
Ndërkohë që Berlini mban flamurin e “bashkëjetesës dhe diversitetit” në arenën ndërkombëtare, brenda vendit rritet urrejtja dhe mosbesimi ndaj të huajve – shumica prej të cilëve kontribuojnë çdo ditë në industri, kujdes shëndetësor, ndërtim dhe teknologji.
Një protestuese në Frankfurt tha:
“Emigrantët janë ata që mbajnë spitalet tona, ndërtimet, fabrikat dhe shërbimet. Pa ta, Gjermania nuk do të funksiononte as 24 orë!”
Gjermania e pasluftës u ngrit mbi humanizmin dhe tolerancën. Sot, ajo rrezikon të shembet nga fjalët e pamenduara të një kancelari që harron historinë.
Nëse Evropa ka një mësim për të nxjerrë nga ky skandal, është ky:
“Kush ngjall frikë ndaj të huajve, ngul thikën në zemrën e vet kombëtare.”
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
